Delawie: Në 6 Vitet e Ardhshme, 20 Mijë Vende Pune

Bizneset e vogla dhe të mesme pritet të kenë qasje më të lehtë në kredi pas themelimit të Fondit për Garanci Kreditore i cili u mundëson atyre kredi më të volitshme.

Fondi i cili është një institucion vendor i pavarur dhe i qëndrueshëm, i cili do t’u lëshojë garanci të pjesërishme të kredive institucioneve financiare, duke rritur në këtë mënyrë qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) në Kosovë ka nisur që nga sot.

Në ceremoninë e nisjes, kryeministri Isa Mustafa e vlerësoi si “ngjarje historike” lansimin e këtij fondi.

“Kjo ngjarje konfirmon se jemi duke kryer mekanizmat tonë për të krijuar fond për të bërë biznes. Gjatë kësaj periudhe qeveria ka arritur të siguroj buxhet ndërsa gjatë vitit 2015 kemi marrë subvencione”, tha Mustafa.

Me këtë fond, do të mundësohet krijimi i rreth 20.000 vendeve të punës, në 6 vite. Ky fond paraqet shtyllën e parë të Fondit për Punësim dhe Investime, që e kemi në Programin Qeverisës.

“Me këtë fond, do të mundësohet krijimi i rreth 20.000 vendeve të punës, në 6 vite. Ky fond paraqet shtyllën e parë të Fondit për Punësim dhe Investime, që e kemi në Programin Qeverisës”, tha Mustafa.

Ai u shpreh se liberalizimi i pritshëm  i vizave për kosovarët do të krijojë mundësi të reja për të bërë biznes.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se Kuvendi ka aprovuar Ligjin për Fondin për Garancitë Kreditore ndërsa u shpreh se sfidat themelore  të ekonomisë janë të lidhura ngushtë.

“Duke pasur qasje në financa njerëzit e talentuar mund ta kenë më lehtë për të bërë biznes”, tha Veseli.

“Nëpërmjet këtij fondi, ekonomia do të marrë një hov sepse rritja e mundësisë për kreditim do të sjellë mijëra vende pune, rritje të prodhimit vendas dhe shtim të eksportit”, u shpreh Veseli.

Ndërsa ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, u shpreh se nisja e fondit paraqet një kapitull të ri të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Ky fond është një e arritur e rëndësishme pasi që do t’u ndihmojë bizneseve dhe presim që të ketë 20 mijë vende të reja të punës në 6 vitet e ardhshme”, tha Delawie.

Për fondin foli edhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets e cila e vlerësoi atë si “shembull të shkëlqyeshëm” të ofrimit të mundësisë për bizneset e vogla dhe të mesme të Kosovës.

Ligji për Fondin për Garancitë Kreditore është miratuar në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar dhe paraqet bazën ligjore për Fondin si një komponent shtesë në kornizën për të adresuar problemin aktual të ndërmarrjeve kosovare mikro, të vogla, dhe të mesme, lidhur me qasjen e kufizuar në financa.

Sqarim: Ky artikull është korrigjuar për shkak të një ngatërrese në përkthimin e deklaratës së Ambasadorit të ShBA-ve, Greg Delawie, rreth shifrës së vendeve të pritshme të punës nga Fondi për Garanci Kreditore.