Foto: Ilustrim

Deklarohen të Pafajshëm të Akuzuarit për Vrasjen në Pejë

Janë deklaruar të pafajshëm Hamza Abazaj dhe Jusuf Abazaj, të akuzuarit për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri në shkurt të këtij viti në qytetin e Pejës.

Pas shumë shtyrjeve në mungesë të përkthyesve të gjuhës suedeze është mbajtur seanca ndaj të akuzuarve Hamza e Jusuf Abazjat, kjo pasi që i akuzuari Hamza Abazaj deklaroi se tërhiqet nga kërkesa për përkthyes dhe se shqyrtimi mund të mbahet në gjuhen shqipe.

Abazaj kishte kërkuar përkthyes nga suedishtja në korrik të këtij viti, me arsyetimin se ka lindur në shtetin skandinav dhe nuk e kupton mirë shqipen juridike.

Më pas gjykata siguroi përkthyes të anglishtes, por i akuzuari tha se nuk e kuptonte këtë gjuhë dhe disa seanca u shtynë.

Hamza Abazaj u deklarua i pafajshëm në lidhje me vrasjen, teksa pranoi fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve, ndërsa Jusuf Abazaj u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës me të cilat po ngarkohet.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Hamza Abazaj akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, përderisa Jusuf Abazaj akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Hamza Abazaj më 24 shkurt 2017 rreth orës 12:00 në Pejë me dashje privoi nga jeta të ndjerin I.N. dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit B.N.

Aktakuza përshkruan se pas një mosmarrëveshjeje në mes të të lartcekurve, i pandehuri ka nxjerrë një revole nga çanta e tij me të cilën ka shtënë në drejtim të të ndjerit dhe të dëmtuarit.

I pandehuri tjetër Jusuf Abazaj akuzohet se në vendin dhe kohën e përshkruar më lart, me dashje ka fshehur provat me të cilat është kryer vepra penale, ndërsa ngarkohet edhe për pjesëmarrje në rrahjen që përfundoi me vrasje dhe plagosje.

KALLXO.com kishte shkruar për vrasjen dhe plagosjen në Pejë, si dhe për arrestimin e tash të akuzuarve.

http://kallxo.com/vrasje-ne-peje-2/

http://kallxo.com/arrestohen-dyshuari-dyte-per-vrasjen-ne-peje/

Aktakuza ndaj Hamza e Jusuf Abazajt u ngrit në korrik të këtij viti.

http://kallxo.com/aktakuze-per-vrasjen-e-24-shkurtit-ne-peje/