Mbledhja e Qeverisë | Foto: ZKM

Debati për pagat në Qeveri, Haradinaj thotë se askujt s’ka me i’u zbritë paga

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar njërin nga projektligjet më të përfolura kohëve të fundit, atë për nivelizimin e pagave në sektorin publik.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar prezantoi shkurtimisht këtë projektligj, ku kërkoi nga kolegët e tij ministra që brenda 5 ditësh të vijnë me komente, në mënyrë që pas 10 dite të sillet në qeveri për votim.

Për ministrin e Financave, Bedri Hamza reforma e administrues publike është njëra prej reformave më të rëndësishme që diskutohet për gati 10 vjet.

Ai ka dhënë disa komente për draftet e projektligjit, ku tha se ka një tendencë që ekzekutimi i pagave t`i kaloj MAP-it, nga Ministra e Financave.

“Nuk duhet që projektligjet të derivohen nga tabela e koeficienteve, por e kundërta. Tabela duhet të rrjedhë si rezultat i tekstit dhe parimeve të përcaktuara në ligj. Ka një tendencë në MAP që ekzekutimi i pagave të kalohet nga Ministria e Financave tek MAP. Aktualisht është e vendosur te MF dhe për shkak të ruajtjes së kontrollit e disiplinës është që të mbetet aty”, tha ministri Bedri Hamza në mbledhjen e qeverisë.

Ministri Hamza kërkoi që të bëhet kujdes me këtë reformë, sepse sipas tij mund të krijohet pabarazi e cila më vonë mund të krijojë probleme për qeverinë.

“Duhet të kemi kujdes, sepse përmes kësaj reforme mund të krijojmë pabarazi e kjo prodhon probleme për qeverinë. Duhet t`i trajtojmë kategoritë me korrektësi edhe me kritere objektive dhe jo të biem në ndikim të disa sektorëve të cilët kanë lobim e ndikim ma të fuqishëm dhe pastaj t`i anashkalojmë disa sektorë tjerë”, tha në mes tjerash ministri Hamza.

Ndërsa, Kryeministri Haradinaj tha se askujt në Kosovë s’guxon me iu zbritë paga.

“Bindja ime është që kurrkujt që merr pagë prej publikut, s’guxon me iu ul një cent, përveç njërit, kryetarit të qeverisë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismjali ka kërkuar që mjekët dhe punëtorët shëndetësorë të paguhen për punën që e bëjnë, sepse ka rrezik që një ditë në Kosovë të mos ketë mjaftueshëm mjekë.

“Sektori i shëndetësisë duhet të konsiderohet edhe në nivelin e politikave nacionale sepse mjekët tanë sot ikin nga Kosova. Kosova është vendi që ka numrin më të vogël të mjekëve për kokë banori. Nëse s’do të kemi një pako stimuluese do të paraqitet një kohë kur s’do të ketë mjekë për Kosovën. Duhet të ketë parasysh që reforma në shëndetësi doemos e ka edhe idenë që mjekët dhe punëtorët shëndetësor të marrin pagën për punën që e bëjnë, s’po them që të ketë pabarazi, por të paguhen për punën që e bëjnë”, tha ministri Uran Ismajli.

Ndërsa, ministri Abelard Tahiri, ka kërkuar që Policia e Kosovës të trajtohet në mënyrë të barabartë me Policinë e Kosovës. Sipas Tahirit janë rreth 1600 oficerë korrektues.