Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qeveria miraton Projektligjin për paga në sektorin publik

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për paga në sektorin publik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.

“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë” – ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo ministri prej muajsh i është dedikuar analizës së situatës për këtë projektligj.

“Si ministri përgjegjëse prej muajsh i kemi dedikuar një kohë të gjatë analizës së situatës, reforma në administratën publike është e mangët pa një sistem të mirëfilltë të pagës” – ka thënë ai.

Pas miratimit të sotëm në Qeveri projektligji do të dërgohet në Kuvend për miratim.

Ende nuk dihet sa është koeficienti i pagës në projektligjin e ri.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK nga 25 gushti ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend duke kërkuar rritje të rrogës 100 euro për të gjithë punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga dhe disa kërkesa të tjera.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.