Deputetët në seancë | Arkiv Foto: KALLXO.com

Deputetët debatojnë për rrogat e larta të menaxhmentit të TRUST-it

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar gjatë për pagat e menaxhmentit të Fondit Pensional të Trustit, përderisa po disktojnë për projektligjin për paga në sektorin publik.

Deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes kanë kundërshtuar pagën e lartë të menaxhmentit të TRUST-it.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se në asnjë vend të Bashkimit Evropian një zyrtar shtetëror nuk e ka pagën sa 15 fishi i pagës mesatare.

“Sa i përket rrogës 5 mijë e 500, unë e kam një pyetje. Ma gjeni një vend në BE, ku një zyrtar e ka pagën sa 15fshi i rrogës mesatare. Na jemi hsteti i vetëm në Evropë, ku po e lejojmë 15 fshin e pagës mesatare”, tha në mes tjerash Konjufca në seancën ku po diskutohet për projektligjin për paga.

Ai ka përmendur edhe zotësinë e menaxhmentit të këtij institucioni.

“Në mesin e shumë institucioneve publike, por e priveligjojmë vetëm njërin, në këtë rast TRUST-in. Ekspertët po thojnë që këtë vit i kanë humbur rreth 85 milionë euro. Sa i përket kësaj se sa të zot janë ata në menaxhim, duhet me përmend që edhe kërkush s’po jep përgjegjësi kur po humbet”, tha tutje Konjufca.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se paga 5 mijë e 500 euro në muaj për kryeshefin e TRUST-it është anomali.

“5 mijë e 500 euro ka qenë paga e kryeshefit të TRUST-it. Kjo është anomali. Ai e ka pasur këtë pagë edhe kur i ka fitu 500 milionë euro edh ekur i ka hup shumë të mëdha të pareve”, tha Hykmete Bajrami në fjalën e saj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke i votuar amandamentet e propozuara nga deputetët në lidhje me projektligjin për pagat.

Pas përfundimit të votimit të amandamentave do të votohet edhe për projektligjin në tërësi.