Çitaku -Daçiqit: Më Parë Shkoj Unë në Hënë sesa Realizohen Ëndrrat Tua

Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha sot se do të ishte më e logjikshme që ShBA dhe Britania e Madhe të tërheqin njohjen e Kosovës se sa Rusia ta njohë atë, përcjell rtv21.tv.

Çitaku në “Twitter” ka shkruar se me të realizueshme do të ishin ëndrrat e saj për t’ u bërë kampione e Wimbledonit ose të shkonte në Hënë se sa dëshira e Daçiqit.

“Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, paska deklaruar që dëshira e tij është që ShBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar të tërheqin njohjen e Kosovës. Çfarë mund të them, do të doja të isha një kampione Wimbledonit, dhe do të doja që të mund ta përballoja një udhëtim për në hënë… duhet të them që ëndrrat e mia janë më afër realitetit”, ka shkruar ambasadorja Çitaku.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, këto deklarata i ka bërë pas deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se njohja e Kosovës nga pala ruse do të ndikonte që Serbia të heqë dorë nga mitologjia e rreme./21Media