Ish-lideri i Katalonisë, Carles Puigdemont - Foto: REL/AFP

Carles Puigdemont Gëzon të Drejtën të Jetë Sërish Kandidat për President

Parlamenti i Katalonisë ka miratuar dekretin me të cilin ish-presidentit të Katalonisë, Carles Puigdemont, i njihet e drejta që të jetë sërish kandidat për President të këtij rajoni në Spanjë.

Partitë të cilat mbështesin pavarësinë e Katalonisë shfrytëzuan shumicën që kanë në Parlament dhe miratuan dekretin, me të cilin kundërshtojnë qeverinë e Spanjës, e cila më herët kumtoi se asnjë kandidat, i cili ka probleme me ligjin, nuk mund të bëhet president i Katalonisë.

Gjykata në qytetin gjerman, Neumünster, i vazhdoi Puigdemont të martën masën e paraburgimit, përderisa instancat më të larta gjyqësore të mos vendosin për kërkesën e Spanjës për ekstradimin e tij.

Puigdemont u arrestua të dielën në shtetin Schleswig-Holstein (në veri të Gjermanisë), rreth shtatë kilometra larg kufirit me Danimarkën.

Javën e kaluar, Gjykata Supreme e Spanjës lëshoi një urdhër-arrest ndërkombëtar për Puigdemont. Në Spanjë ai mund të dënohet më 25 vjet burg, nën akuzat për kryengritje dhe nxitje të kryengritjes, gjatë referendumit për pavarësinë e Katalonisë, në tetor të vitit të kaluar.

Në ndërkohë, edhe ish-ministrja katalonase për Arsim, Clara Ponsatí, për të cilën gjithashtu është lëshuar fletë-arrest nga ana e autoriteteve në Madrid, ju dorëzua sot policisë në Skoci.

Pas përpjekjes së pasuksesshme për të shpallur pavarësinë e Katalonisë, Ponsati fillimisht shkoi në Belgjikë, e më pas në Skoci, ku ka dhënë mësim në Universitetin Saint Andrew./21Media