Pjesë nga shfaqja "Carla Del Ponte"

‘Carla Del Ponte’ në Teatrin Oda

Shfaqja kosovaro-gjermane që për titull zgjodhi ta ketë emrin e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës Carla Del Ponte sipas dramaturgut Jeton Neziraj ka qëllim të vërë në pah paragjykimet dhe stereotipet në lidhje me trafikimet e organeve.

“Ajo çka kemi dashtë me bo është me vu në pah një farë relacioni, ose një cinizëm që e dominon këtë relacionin e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës dhe krejt ato paragjykime dhe stereotipe që kanë dominu krejt këtë periudhë mas luftës,” tha Neziraj.

Ai deklaroi se shfaqja është munduar të hulumtojë se si krejt drama e luftës kosovare u mbulua nga dyshimet për trafikim organesh.

“Një event i rëndësishëm siç është trafiku me organe ka mbulu krejt dramën reale të luftës në Kosovë, pra një diçka e rëndësishme, por jo super e rëndësishme si krejt lufta, e krejt ajo çka na ka ndodhur në Kosovë na ka okupu krejt hapësirën mediale dhe perceptimin për Kosovën. Në atë lloj drejtimi jemi mundu me hulumtu,” tha Neziraj.

Tekstin e Nezirajt e lavdëroi koreografi gjerman Jochen Roller.

“Teksti i jetonit është fantastik, mendoj ishte një kënaqësi e madhe për të vendosur këtë tekst në skenë. Mendoj që ishte një tekst i mençur dhe për mua ishte shumë e lehtë për ta vendosur ne skenë. Ne bashkë kemi vendos me bazu këtë shfaqje për Carla del Ponten, kështu që kemi bërë kërkime rreth saj dhe gjithë storjes për ardhjen e saj në Kosovë për investigimin për trafikimin e organeve,” tha Roller.

Nezirajt i pëlqeu shumë bashkëpunimi me koreografin gjerman.

“Ne e kemi nisur projektin vjet me koreografin dhe me regjisorin  dhe ngadalë e kemi ndërtu komplet edhe konceptin e produksionit, pra kemi edhe partner gjerman…Është definitivisht punë ndryshe, se ky është koreograf me profesion dhe ka një estetikë që duket e thjeshtë në dukje, po natyrisht këtë e ka si një estetike të veten edhe punon suksesshëm në Gjermani dhe vendet tjera,” tha Neziraj.

Në shfaqje u paraqit edhe pjesa kur Nëna Tereza që sivjet u shpall e shenjtë nga Vatikani i telefonoi Presidentit të atëhershëm amerikan Bill Clinton për t’i kërkuar ndihmën për popullin e saj shqiptar në Kosovë. Aty u paraqit edhe mbledhja e informacioneve nga Carla Del Ponte për krimet e luftës në Kosovë dhe numrin e viktimave.

Shfaqja kishte edhe skena të vizitës së Carla Del Pontes në Kosovë dhe përshtypjeve të saj negative në lidhje me njerëzit dhe jetën në Kosovë, ndërsa u paraqit edhe habia e saj në momentin kur e shijoi kafen e preferuar “Vanilla Chai Latte” që e kishte shijen si në çdo vend tjetër të Evropës.

Neziraj e Roller në performancën e shfaqjes së përbashkët shkuan edhe më larg në fund të saj, kur paraqitën kinse vëllanë e Del Pontes të interesuar për të blerë një veshkë në Klinikën “Medicus” të Kosovës dhe kundërshtimin e ish-kryeprokurores ngase kjo gjë ishte ilegale.

Më pas në shfaqje doli një vullnetar serb që ia ofroi këtë veshkë vëllait të Del Pontes, duke shkaktuar mëdyshje te ajo për pranim ose jo të kësaj veshke.

Pronarët e Klinikës “Medicus” dhe mjekë të tjerë që punuan aty, u dënuan për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar në vitin 2013.

Roller tha se shfaqja u konceptua në atë mënyrë që secili aktor të mund të luante rolin e secilit.

Gjithkush është Nëna Terezë, gjithkush është Marina Abramovic, gjithkush është Madeleine Albright. Kudoqoftë që lëvizin aktorët brenda hapësirës për mua ka edhe lëvizje të tekstit dhe me lëvizjen e tekstit lëviz edhe perceptimi juaj dhe perspektiva rreth temës për të cilin mendoj se është e rëndësishme të bëhet sepse nuk është një e vërtetë e vetme në këtë temë, aty ka gjithmonë disa të vërteta,” përfundoi Roller.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri