Kandidatët për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale – Foto: KALLXO.com

Burrat që synojnë Specialen

Prokuroria Speciale së shpejti do të bëhet me një drejtues të ri, pasi që kryeprokurori aktual, Reshat Millaku, do të dalë në pension më 4 prill.

Për pozitën e të parit të Prokurorisë Speciale kanë aplikuar katër kandidatë: Armend Hamiti, Atdhe Demaj, Blerim Isufaj e Haki Gecaj.

Konkursi për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale ka qenë i hapur nga 1 deri më 15 mars, ndërsa intervistimi i kandidatëve është bërë më 1 prill.

Mënyra e emërimit për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

Pas intervistimit dhe poentimit të kandidatëve për kryeprokuror, komisioni vlerësues është i thirrur që të përgatisë një tabelë me vlerësimet e përgjithshme për secilin kandidat veç e veç, e cila tabelë më pas i dërgohet Këshillit Prokurorial të Kosovës e pastaj Këshilli i shqyrton propozimet e komisionit dhe po ashtu edhe ankesat/kundërshtimet e paraqitura nga kandidatët.

Këshilli voton për secilin kandidat veçmas dhe përmes votimit të fshehtë.

Nëse kandidati i parë nuk merr shumicën e votave pas votimit, atëherë Këshilli voton për kandidatin e dytë të propozuar në të njëjtën procedurë votimi si për kandidatin e parë.

Nëse kandidati i dytë nuk merr shumicën e votave të Këshillit, konkursi do të rihapet.

Kryeprokurori i ri do të emërohet nga Këshilli dhe do të ketë mandat katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat shtesë.

Por kush janë kandidatët të cilët po e synojnë pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale?

Armend Hamiti

Armend Hamiti më 28 dhjetor 2012 është dekretuar prokuror nga presidentja Atifete Jahjaga dhe aktualisht është prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Hamiti, Fakultetin Juridik e ka përfunduar në vitin 2003 ndërsa provimin e judikaturës e ka kaluar në vitin 2010.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, rezulton se Hamiti nuk posedon asnjë pronë të paluajtshme në emër të tij.

Ndërsa ka deklaruar se në emër të prindit të tij është një shtëpi me oborr në sipërfaqe totale prej 414 m2, me vlerë 500 mijë euro, si dhe një truall dhe një tokë, vlera e përgjithshme e të cilave është përllogaritur si 90 mijë euro.

Atdhe Demaj

Atdhe Demaj që nga viti 2014 është dekretuar prokuror, fillimisht në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndërsa aktualisht është prokuror në Prokurorinë Speciale.

Po ashtu, as Demaj nuk ka ndonjë pasuri të paluajtshme të deklaruar në emër të tij.

Por në emër të prindit të tij, Demaj ka deklaruar se është një apartament me sipërfaqe 40m2, me vlerë 48 mijë euro si dhe një shtëpi me sipërfaqe prej 600 m2, me vlerë 300 mijë euro.

Blerim Isufaj

Blerim Isufaj aktualisht është prokuror në Prokurorinë Speciale.

Isufaj fillimisht është dekretuar prokuror i Qarkut dhe Krimeve të Rënda nga viti 2010 deri në vitin 2013, ndërsa që nga gushti i 2013-ës e deri në vitin 2016 e ka mbajtur pozitën e prokurorit në Prokurorinë Speciale, për të kaluar më pas në janar të 2016-ës si kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës të cilin post e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion rezulton se Isufaj posedon një truall në sipërfaqe prej katër ari, vlera e të cilit është 60 mijë euro.

Isufaj posedon edhe gjashtë ngastra toke të cilat i ka në posedim të përbashkët me familjarë dhe të cilat rezulton se janë të trashëguara, vlera e përgjithshme e të cilave është 212 mijë euro.

Po ashtu, në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Blerim Isufaj ka deklaruar edhe një banesë për të cilën ka thënë se është në emër të bashkëshortes së tij, të cilën e kanë blerë me kredi dhe vlera e përgjithshme e të cilës është përllogaritur 30 mijë euro.

Haki Gecaj

Haki Gecaj është aktualisht prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Gecaj në vitin 2002 e ka dhënë provimin e jurisprudencës, kurse në vitin 2004 është emëruar prokuror në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë.
Nga pasuria të cilën e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion rezulton se Haki Gecaj posedon një banesë në sipërfaqe prej 107.87 m2, vlera e të cilës është 64 mijë e 722 euro si dhe garazhin me sipërfaqe 12m2 dhe vlerë 4 mijë euro.

Gecaj ka të deklaruar edhe një tokë dhe mal me sipërfaqe një hektar dhe vlerë 50 mijë euro për të cilën ka thënë se është e trashëguar dhe është në emër të përbashkët me bashkëfamiljarët.

Po ashtu Haki Gecaj rezulton si bashkëpronar edhe në një shtëpi me lokale që ka sipërfaqe të përgjithshme 120 m2, e realizuar nga puna dhe kursimet e përbashkëta familjare, vlera e të cilit është 80 mijë euro.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!