Burgim i Përjetshëm për Vrasësin Serb të Enver Hadrit

Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel të mërkurën dënoi Bozhidar Spasiq, ish-kreu i operacioneve speciale të policisë sekrete jugosllave, UDBA, dhe anëtarët e një bande kriminale serbe, Andrija Drashkoviq dhe Veselin Vukotiq, me burgim të përjetshëm për vrasjen e aktivistit të të drejtave të emigrantëve të Kosovës Enver Hadri.

Spasiq organizoi vrasjen dhe Drashkoviq e Vukotiq e kryen atë, tha gjykata në vendimin që u dha një ditë para dënimit.

Hadri, kreu i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në makinën e tij ndërsa priste në semafor në Bruksel më 25 shkurt 1990.

Të tre burrat u gjykuan dhe u dënuan në mungesë, sepse ata janë në Serbi.

Spasiq, i cili është i njohur në Serbi dhe ka shkruar dy libra mbi punën e tij si shef spiunimi, tha për mediat në Beograd se ai nuk ishte informuar zyrtarisht rreth vendimit.

“Nuk e di as për çfarë jam dënuar apo sa për sa vjet u dha dënimi. Duke marrë parasysh që ata mendojnë se unë isha organizatori, mendoj se më kanë dhënë dënim me burgim të përjetshëm. Nuk e di,” tha ai për televizionin N1 të mërkurën.

Avokati i Vukotiqit, Zdenko Tomanoviq, tha ndërkohë për N1 se klienti i tij nuk ishte në gjendje të mbronte veten në Bruksel dhe të vërtetonte “mos ekzistencën dhe paligjshmërinë e provave që ishin mbledhur” sepse ai nuk mund të largohet nga Serbia duke qenë se është në arrest shtëpie.

Vukotiq u dënua për vrasjen e një personi në një klub natë në Mal të Zi, për të cilën ai bëri tetë muaj burg në Serbi para se të lirohej për shkaqe humanitare. Megjithatë, një raport nga BIRN në vitin 2011 zbuloi se ai ishte liruar për shkak se ai pranoi të bëhej informator dhe të siguronte informacione në lidhje me gangsterët malazezë.

Avokati i Drashkoviq tha për faqen serbe të lajmeve KRIK se nëse vendimi i gjykatës belge bëhet përfundimtar, ai do ta çojë çështjen e në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Drashkoviq u dënua me 10 vjet burg nga një gjykatë serbe në vitin 2010 për vrasjen e një tjetër krimineli në një restorant në Beograd, por u lirua para kohe nga burgu tre vjet pas kësaj.

Viktima e vrasjes në Bruksel, Enver Hadri, ishte një nacionalist dhe aktivist etnik shqiptar nga Kosova që kishte ikur në Belgjikë në vitin 1972.

Ai ishte aktiv në Rezistencën Kombëtare të Shqiptarëve të Kosovës dhe më vonë themeloi Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, i cili mblodhi të dhëna mbi shtypjen e shqiptarëve etnikë nga forcat jugosllave të sigurimit.

Ai u vra disa ditë para se ishte programuar të paraqiste një raport të detajuar të vdekjeve të dhjetëra shqiptarëve etnikë në duart e policisë jugosllave në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Vajza e tij, Teuta Hadri, tha të mërkurën se dënimet me burgim të përjetshëm përfaqësojnë gjithashtu një dënim të Serbisë, të cilën ajo e akuzoi se po mbronte vrasësit e babait të saj.

“Për çerek shekulli, autoritetet serbe bënë gjithçka që mundën që vrasja e Enver Hadrit të mos zgjidhet dhe autorët e saj të mos ndëshkoheshin,” tha ajo në një deklaratë.

Dy të dyshuar të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen Hadrit, Andrija Lakoniç dhe Darko Asanin, u vranë në Serbi në vitet 1990.