Gjyqtari dhe prokurorja e rastit në momentin e shpalljes së aktgjykimit ndaj të akuzuarit për vjedhje - Foto: KALLXO.com

Burg e Gjobë për Vjedhësin e Akumulatorëve të Veturave

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 200 euro gjobë Fidan Tortoshin, i akuzuar për vjedhje.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzonte Tortoshin se gjatë vitit 2013 me qëllim të përvetësimit dhe përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka vjedhur bateritë (akumulatorët ) e tri veturave.

Sipas aktakuzës, më 30 dhe 31 maj 2013 në vende të ndryshme në Mitrovicë i pandehuri kishte arritur që nga dy vetura të tipit “Golf 2” të vjedhë akumulatorët.

Po ashtu, i pandehuri ishte futur edhe në automjetin ‘”Audi 80”, dera e të cilit nuk ishte e mbyllur me çelës, e ka hapur haubën dhe ka marrë baterinë.

Më këtë ka kryer veprën penale vjedhje nga neni 325 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pasi që gjyqtari i vetëm gjykues në këtë çështje Bekim Veliqi i kërkoi të pandehurit të deklarohej rreth fajësisë ose pafajësisë, i akuzuari deklaroi se ndihet fajtor për veprat penale, duke i premtuar Gjykatës se më nuk do të përsërisë një vepër të tillë.

Të njëjtit i është dhënë mundësia që dënimin me burgim ta zëvendësojë me gjobë në vlerë prej 2.000 euro.