Gjykimi per vjedhjen e lap-topit - 14 janar 2019 - KALLXO

Shtetasi i Serbisë pranon në Gjykatë vjedhjen e laptop-it

Elvis Dermaku dhe Plator Mici, njëri i akuzuar për vjedhje dhe tjetri për blerje dhe fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, dënohen nga Gjykata e Gjakovës. Gjatë shpalljes së aktgjykimit gjyqtari i rastit Mentor Bajraktari, të akuzuarin Elvis Dermaku e dënoi me burg 6 muaj dhe 600 euro gjobë, ndërsa të akuzuarit Plator Mici i dha vërejtje gjyqësore.

Prokuroria akuzonte Elvis Dermakun nga Republika e Serbisë, se kishte hyrë në lokalin e të dëmtuarit Ideal Durakut, të cilit ia kishte marrë lap-topin e markës “HP”, në vlerë prej 300 eurove.

Ndërsa, ditën e nesërme në stacionin e autobusëve në Gjakovë, Plator Mici,  të njëjtin lap-top e kishte blerë nga këtu i akuzuari i parë Elvis Dermaku.

Në gjykimin e mbajtur të hënën me 14 janar 2019, të akuzuarit pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, e kishin pranuar fajësinë.

“Më vjen keq për veprimin që e kam bërë, por nuk do ta përsëris më”, kishte thënë i akuzuari Elvis Dermaku.

“Unë vetëm e kam blerë llap-topin, por nuk e kam ditur që është i vjedhur”, kishte thënë i akuzuari Plator Mici.

Aktakuza e Prokurorisë shpjegonte se kundërvlera e lap-topit ishte dukshëm më e ulët se sa çmimi real i tij në treg.

I njëjti lap-top është konfiskuar nga ana e Policisë dhe i është kthyer të dëmtuarit Ideal Durakut.