BSKP mbështet kërkesat e Sindikatës së sektorit privat

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përmes një komunikate, shprehu përkrahjen ndaj Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, gjegjësisht ndaj sindikalistëve të kësaj sindikate në hapat e ndërmarrë sindikal të organizmit të grevës, përmes së cilës shprehin pakënaqësitë e tyre për shkak të mospagesës së rritjes 4% të pagës nga rritja në sektorin publik e vitit të kaluar dhe mos dialogimi për kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës së Prishtinës.

BSPK ka ftuar institucionet që të merren më shumë me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat, ndryshe do të mobilizojnë punëtorët dhe përmes formave radikale do të angazhohen për arritjen e qëllimit të tyre e që është trajtimi më i mirë i punëtorëve të këtij sektori.

“BSPK duke marrë parasysh gjendjen jo të mirë të punëtoreve të sektorit privat, mos respektimin e Ligjit të punës, Ligjit për mbrojtje dhe siguri në punë, mos rritjes së një page minimale më të dinjitetshme se kjo aktualja dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të punëtorëve që janë të theksuar shumë në këtë sektor, u bënë thirrje organeve gjegjëse që të punojnë më shumë në këtë drejtim sidomos duke bërë mbikëqyrjen e ligjeve që rregullojnë marrëdhënien e punës në vend, në të kundërtën jemi të detyruar që t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e mobilizimit të punëtoreve që përmes formave më radikale të organizimeve sindikale të punojmë për arritjen e një trajtimi më të mirë të punëtoreve të sektorit privat”, thuhet në deklaratë.