Brukseli Kërkon Kontrolle për Ballkanasit që Hyjnë në Shengen

Komisioni Europian propozoi të mërkurën për zbatimin e një sistemi të kontrollit paraprak për qëllime sigurie për udhëtarët që hyjnë në zonën Shengen dhe që nuk kanë nevojë të pajisen paraprakisht me viza, me synimin për të parandaluar kërcënimet e mundshme terroriste.

Nëse ky propozim miratohet, qytetarët nga vendet e Ballkanit, të cilat nuk janë pjesë e zonës Shengen por që nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Europën Perëndimore, do të duhet t’i nënshtrohen kontrolleve shtesë.

Sistemi i ri i quajtur Sistemi Europian për Informimin dhe Autorizimin e Udhëtimit, (ETIAS sipas akronimit në anglisht), do t’i detyrojë udhëtarët të plotësojnë aplikime në internet ku do të japin të dhëna personale, përfshirë identitetin, dokumentet e udhëtimit, vendbanimin e të tjera.

Çdo aplikim do të procesohet në mënyrë automatike, duke ballafaquar të dhënat e aplikantit me databaza të ndryshme, përfshirë ato të INTERPOL dhe EUROPOL. Ata që kalojnë kontrollin e sigurisë do të marrin një autorizim për udhëtimin “brenda pak minutash pas plotësimit të aplikimit,” thotë Komisioni Europian.

ETIAS do të vendoset për të mundësuar “menaxhim më efikas të kufijve të jashtëm të BE-së dhe për të përmirësuar sigurinë e brendshme, ndërkohë që lehtëson udhëtimet e ligjshme përmes kufijve Shengen,” deklaroi Komisioni. Sapo të merret miratimi fillestar, ai do të jetë i vlefshëm për pesë vjet dhe për shumë udhëtime.