Foto: Anadolu

Bosnja Paraqet Kërkesën për Anëtarësim në BE

Bosnjë-Hercegovina ka dorëzuar zyrtarisht sot kërkesën për pranim në Bashkimin Evropian (BE), një rast për zyrtarët evropianë që t’i bëjnë thirrje vendit të përshpejtojë reformat e premtuara duke e paralajmëruar në të njëjtën kohë se nuk do t’i bashkohet bllokut “edhe disa vite”, raporton AFP.

“2016 do të jetë një vit përplot sfida”, ka thënë kryetari i presidencës së Bosnjës, Dragan Çoviq, gjatë një ceremonie në Bruksel, ku kërkesa për pranimin e vendit i është dorëzuar solemnisht presidencës holandeze të BE-së.

“Ne duhet ta përmirësojmë ekonominë tonë dhe ne do të kemi zgjedhje lokale, të cilat do të jenë një rast për të dëshmuar se ne mund ta reformojmë vendin tonë“, ka theksuar ai, raporton AFP.

“Ne e shohim se fqinji ynë i parë, Kroacia, është tashmë anëtar i BE-së. Mali i Zi dhe Serbia janë po ashtu në rrugën e integrimit në BE. Edhe Bosnjë-Hercegovina është pjesë e këtij kontinenti!”, ka thënë gjithashtu kryesuesi i presidencës boshnjake.

E cilësuar më 2003 si “kandidat potencial” për të hyrë në BE, Bosnja kurrë nuk ka arritur zyrtarisht ta marrë këtë status, sidomos për shkak të mosmarrëveshjeve politike ndërmjet komuniteteve serb, kroat e mysliman, të cilat pengonin çfarëdo reforme.

Në përpjekje për ta ringjallur procesin, BE ka miratuar një qëndrim të ri, më 2014, nën shtytjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Gjermanisë.

Sipas Agence France Presse, ideja është që të lihet anash procesi i vështirë i ndryshimeve kushtetuese dhe që autoritetet boshnjake të përqendrohen në reforma për ta rimëkëmbur ekonominë dhe të krijohen vende pune, në kohën kur shkalla e papunësisë është mbi 40 për qind në këtë vend me 3.8 milionë banorë.

Parlamenti boshnjak pastaj ka miratuar, në shkurt 2015, një deklaratë, duke premtuar reforma, disa prej të cilave tashmë janë zbatuar, sikurse ajo për tregun e punës.

Udhëheqësit evropianë që kanë marrë pjesë në ceremoni kanë thënë se vendi “duhet të vazhdojë dinamikën aktuale pozitive, duke vazhduar zbatimin e reformave”, sikur ka thënë ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders.

“Progres domethënës në zbatimin e agjendës së reformave është i domosdoshëm në mënyrë që BE ta shqyrtojë kërkesën për pranim”, ka shtuar ai, raporton AFP.

“Ajo që ju keni realizuar në muajt e fundit është e dukshme, ju keni bërë shumë për të paraqitur një kandidaturë kredibile”, ka thënë, ndërkaq, komisionari evropian i Zgjerimit, Johannes Hahn.

“Mirëpo, ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë. Ne duhet të ju themi se pranimi nuk do të ndodhë edhe disa muaj, as edhe disa vjet. Mirëpo, kjo i ofron një perspektivë të qartë evropiane Bosnjës”, ka vijuar ai.