Tryeza për sponsorizimet | Foto: Facebook

Bizneset Informohen Rreth Ligjit Mbi Sponsorizimet

Oda Ekonomike Amerikane ka informuar sot bizneset mbi dispozitat e legjislacionit të ri dhe përfitimeve të tyre.

Në këtë tryezë Kujtim Gashi, ministër për Kulturë Rini dhe Sport tha se ministria që ai drejton në vazhdimësi ka qenë e përkushtuar në avancimin e kornizës ligjore, duke përmendur mbështetjen financiare dhe materiale të aktiviteteve kulturore e sportive, përmes sponsorizimeve dhe reklamave, të cilat reflektojnë në zhvillimin e bizneseve.

Ndërsa Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane tha se bizneset në vazhdimësi kanë përkrahur aktivitetet kulturore.

“Me ose pa një ligj që rregullon përfitimet e mundshme, bizneset në vazhdimësi kanë përkrahur aktivitetet kulturore dhe sportive, duke mirëpritur kështu hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Sponsorimet”,  tha Zeka.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe Nahit Sharku, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në ATK-së, i cili tha se bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Ministrisë së Financave dhe ATK-së do të ndihmojë në sqarimin e ndryshimeve tatimore në komunitetin e biznesit në mënyrë që bizneset të jenë të sigurta në procesin e sponsorizimit.

“ATK do të vazhdojë të kontribuojë në mosdëmtimin e bizneseve në procesin e sponsorizimit”, tha Sharku.

Ai shtoi se pakoja fiskale do të përfundohet në fund të qershorit 2018.