Takimi Beqaj- Dema | Foto: KALLXO.com

Beqaj: Jemi Shtëpi e Vogël

Ministria më e re e Qeverisë Haradinaj, ajo e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, sipas ministrit Besim Beqaj aktualisht i ka të punësuar vetëm pesë persona.

Beqaj, gjatë takimit me rektorin e Universitetit të Prishtinës Marjan Demaj, tha se sipas ligjeve në fuqi rekrutimi i stafit të ministrisë që drejton do të marrë kohë.

Beqaj më pas duke folur për ministrinë tha “se jemi shtëpi e vogël”

Pasi që edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e ka Departamentin për Inovacion, Beqaj u pyet nga KALLXO.com se çfarë do ta dallojë ministrinë nga ky departament.

Beqaj tregoi se ministria do të merret me inovacionin që do të ndihmojë zhvillimin e bizneseve, sidomos atyre me potencial, ndërsa departamenti i MASHT-it do të patentojë shpikjet e reja.

Ministri bëri të ditur se çfarë do të nënkuptojë për ministrinë në krijim termi inovacion.

“Ne me inovacion nuk nënkuptojmë vetëm zbulim, ne nënkuptojmë avancimin e proceseve në këtë drejtim”, the Beqaj.

Duke falënderuar ministrin Beqaj për vizitën dhe takimin, rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema tha se e ka mirëpritur idenë e çeljes së ministrisë së se.

Rektori Dema u pyet nga KALLXO.com se sa shpikje janë regjistruar në emrin e Universitetit të Prishtinës që nga themelimi i tij në vitin 1970.

Duke mos iu përgjigjur direkt pyetjes, rektori Dema tha se “Universiteti i Prishtinës mburret me studentët që i ka pasur”.

Në vitin 2013 Gazeta Jeta në Kosovë shkroi se gjatë tërë historisë së tij UP-ja nuk ka aplikuar asnjëherë për të patentuar ndonjë shpikje.