Universiteti i Prishtinës Me Asnjë Shpikje

Universiteti i Prishtinës në historikun e tij 40 vjeçar nuk ka aplikuar asnjëherë për të patentuar ndonjë shpikje.

“Në Zyrën për Pronësi Industriale nuk kemi pranuar asnjë aplikacion për patentë nga Universiteti i Kosovës ose institucion tjetër”, thotë drejtori i kësaj zyre Isa Dukaj, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në një konferencë të organizuar nga grupi i studentëve Paqja Studentore javën e kaluar në Prishtinë ishte i ftuar edhe prorektori i UP-së, Nuri Bexheti.

I pyetur nëse ky institucion ka patentuar ose ka aplikuar ndonjë herë për patentimin e ndonjë shpikjeje ose rezultati hulumtues, Bexheti tha “UP-ja ende nuk i ka dhënë botës ndonjë nobelist”. 

“Ky universitet ka hartuar një strategji për veprimtari kërkimore, shkencore, artistike dhe zhvillimore për vitet 2013-2016”, Abdullah Alija

Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Abdullah Alija, tregon se është paraparë themelimi i njësisë për mbështetje të hulumtimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës. 

“Ky universitet ka hartuar një strategji për veprimtari kërkimore, shkencore, artistike dhe zhvillimore për vitet 2013-2016”, thotë ai.

Megjithatë në këtë strategji nuk ceket askund pronësia intelektuale e ndonjë shpikjeje që do të vinte përbrenda Universitetit të Prishtinës. 

Sipas shoqatës ProTon, (Shoqata Europiane e Transferimit të Teknologjisë, institucion i themeluar nga Komisioni Europian), 50 për qind e patentave të nominuara për Shpikësit e Vitit nga Zyra e Europiane e Patentave për vitin e kaluar, kanë qenë patenta të shpikjeve të realizuara në universitete.

Universitete të njohura e kanë të definuar këtë çështje me rregullore të vetë universitetit. Universtiteti i Yorkut në Mbretërinë e Bashkuar është pronar i çdo pronësie intelektuale që vjen si rezultat i fondeve për kërkim dhe zhvillim të këtij universiteti. Edhe universiteti i Yale në Shtetet e Bashkuara ka të njëjtën rregullore.

Situatë e ngjashme është edhe në dy universitetet e rajonit, atë të Beogradit dhe Zagrebit. Universitetit i Beogradit ka qendrën e transferimit të teknologjisë të themeluar në vitin 2010.

Ky institucion i Universitetit të Beogradit gjithashtu është pronar i çdo pronësie intelektuale (përveç të drejtave të autorit) të krijuar brenda këtij universitetit nga profesorët, studentët apo ekspertët tjerë të angazhuar me pagesë. 

“Ne nuk bëjmë përgatitjen e aplikacioneve për patenta, por bëjmë promovimin e këtyre çështjeve”, Murteza Osdautaj.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës ka themeluar Qendrën për Inovacione dhe Transfer të Teknologjisë.

Megjithatë, sipas kryetarit të bordit të kësaj qendre, Murteza Osdautaj, kjo qendër nuk merret me pronësinë intelektuale të Universitetit të Prishtinës.

“Ne nuk bëjmë përgatitjen e aplikacioneve për patenta, por bëjmë promovimin e këtyre çështjeve”, thotë Osdautaj. 

Në statutin e UP-së, neni 47, pika 3 thuhet se Universiteti i Prishtinës është përgjegjës për zhvillimin e politikave dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale, megjithëse askund nuk është e cekur se kujt do t’i takonte pronësia.

Sipas Shoqatës Evropiane për Transferimin e Njohurive (themeluar nga Komisioni Europian), Pro Ton në vitin 2010, Qendrat për Transferimin e Njohurive në Bashkimin Europian kanë bërë 5,234 shpikje. Afro 19 shpikje në vit, për çdo qendër.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës në vitin 2009 ka hartuar një strategji të emëruar, “Programi Kombëtar i Shkencës i Republikës së Kosovës”.

Aty ceket që Kosova për herë të parë kishte ndarë 0.1 për qind të bruto produktit vendor për zhvillim dhe kërkim, ndërsa parashihet që ky buxhet të arrijë 0.7 për qind e buxhetit të shtetit.

Trendi i investimeve në këtë fushë është shumë i ulët, krahasuar me mesataren euopiane.

Sipas organizatës National Science Board, shteti me buxhetin më të ulët në Bashkimin Europian mbetet Rumania me 0.47 për qind të GDP-së dhe Gjermania me përqindjen më të lartëprej 2.78 për qind të GDP-së.

Kualiteti i universiteteve në Perëndim, por edhe në vendet e zhvilluara shpesh matet edhe me numrin e patentave që posedon ai.

Qendrat për Transferimin e Njohurive të themeluara brenda universiteteve janë krijuar me qëllim që të mbrojnë punimet shkencore me karakter inventiv dhe rezultatet e kërkimeve të stafit universitar dhe studentëve.