Foto: Facebook

Beqaj: Çështja e kufijve mund të ngritet në Paris

U paralajmërua si një mundësi e mirë për Kosovën, por takimi i 29 prillit në Berlin të Gjermanisë nuk solli diçka konkrete.

Atje morën pjesë dy krerët shtetërorë, Presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj. Ndonëse u tha se do të shkojnë me qëndrime të harmonizuara, ata pas kthimit shfaqën qëndrime jo fortë të njëjta.

Analisti politik në Kosovë, Behlul Beqaj vlerëson se takimi në kryeqytetin gjerman nuk arriti synimet e palës kosovare. Ai beson se ideja për prekjen e kufijve nuk u shua, por një gjë e tillë mund të pritet në takimin e ardhshëm që u paralajmërua se do të mbahet në kryeqendrën e Francës, Paris.

“Rezultati i takimit nuk ishte në përputhje me synimin. Por, epilogu definitiv do te shihet në takimin e radhës në Paris. Arsyeja kryesore mendoj se është  mbajtja gjallë e idesë së ndarjes e cila ka mbështetjen e SHBA-ve, Rusisë, Mogherinit, Aleksandar Vuçiqit dhe HashimThaçit dhe kompozicionit të ish zyrtarëve që janë shndërruar në lobistë në përkrahje të kësaj ideje”, deklaron Beqaj për gazetën Jeta në Kosovë.

Një taksë e vendosur kundër produkteve serbe dhe të Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar ka pezulluar dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas Beqajt, tarifa mund të tërhiqet vetëm atëherë kur nga tavolina negociuese do të hiqet ideja për prekjen e kufijve.

“Tarifa do të hiqet kur të largohet nga tryeza e negociatave çështja e ndarjes. Vazhdimi i procesit mund ta sjellë njohjen, ndarja do të zhbëjë shtetin në perspektivë ose mund të zgjohemi në një mëngjes duke parë një skenar të dakorduar  me uniforma ndërkombëtare që i ka caktuar kufijtë”, vlerëson Behlul Beqaj.

Një ballafaqim për ndryshim kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte parashikuar para 29 prillit.

Sipas analistit Beqaj, një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të nënshkruhet këtë vit, por nuk mund të ndodhë normalizimi i mardhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve.

Ai nuk beson se  idetë për shkëmbim territoresh e ndryshim kufijsh do të ndihmonin të dyja vendet që të kenë një zgjidhje afatgjatë. Ndërsa, thotë se idetë e tilla mund të sjellin skena të padëshirueshme në teren.

“Do të ishte zgjidhje nëse ndërron parimi i mos ndërrimit të kufirit.  Por, ndërrimi i këtij parimi, vetëm pse i konvenon një shteti, nuk ia merr  të drejtën shtetit tjetër që të mos të veprojë njëjtë, atëherë do të krijohej kaos dhe do të kishim skena që i kemi përjetuar”, përfundon Beqaj.

Takimi në kryeqytetin gjerman, që tashmë njihet si Samiti i Berlinit u organizua nga kancelaria gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron. Pas këtij takimi, u publikuan edhe konkluzionet  që mund t’i gjeni KËTU.

Makron dhe Merkel pritet të mbledhin sërish liderët e Ballkanit Perëndimor në një takim të ngjashëm, në 1 korrik në Paris.