Samiti i Berlinit, Foto: Ambasada Gjermane në Prishtinë

Paria e Kosovës e ndarë shkoi, edhe më e ndarë u kthye nga Berlini

Para se të udhëtonin shpresuan se do t’i harmonizojnë deklaratat e tyre në mënyrë që Kosova të flasë më një zë për të gjitha çështjet që mund të jenë temë diskutimi në Samitin joformal të Berlinit, që do të mbahej më 29 prill, pas ftesës që ata morën nga nikoqirët e këtij Samiti, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Shpresojmë t’i harmonizojmë qëndrimet me Thaçin”, deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë duke shpresuar që të mos ketë shpërputhje të qëndrimeve me presidentin në Samitin e Berlinit.

Se qëndrimet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj janë diametralisht të kundërta, këtë e konfirmon edhe gazeta prestigjioze New York Times. Në një artikull të dedikuar për Samitin për Ballkanin Perëndimor, gazeta thotë se fillimisht kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron duhet “të ndërmjetësojnë midis dy liderëve të Kosovës”.

“Nëse duan të kenë ndonjë shpresë për lehtësimin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe të tejkalojnë ngërçin në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve, atëherë ata së pari duhet të ndërmjetësonin një paqe tjetër, atë midis dy liderëve të Kosovës”, thotë artikulli i gazetës në fjalë.

Frika se një agjendë e fshehtë po qarkullonte nëpër margjinat  ku do të mbahej ky Samit e shtyri presidentin e Kosovës të dalë me një deklaratë duke e mohuar një gjë të tillë.

“Nuk ka agjendë të fshehtë në Berlin”, deklaroi Hashim Thaçinë një postim në Facebook duke hequr zërat se në Samitin e Berlinit do të ketë një agjendë të fshehtë në lidhje me propozimin e ndonjë marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, edhepse  agjenda e këtij Samiti nuk dihej akoma, ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Shib, më 11 prill kishte deklaruar se ideja e mbledhjes së liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin është për shkak të pezullimit të taksës së Kosovës ndaj Serbisë dhe që të vazhdojë dialogu.

Samiti që po afrohej bëri që liderë insitucionalë të dalin me dekalarata më të shpeshta në opinion.

Gjatë një konference për media pasi bëri homazhe për nder të Ditës së Dëshmorëve të komunës së Prishtinës, në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te përmendorja e Zahir Pajazitit, kryeminsitri Haradinaj deklaroi se Samiti i Berlinit është një mundësi e mirë, një tryezë e përbashkët me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke potencuar se  Europa e ka një borxh ndaj Kosovës e që ky borxh është liberalizimi i vizave dhe se pret një sinjal pozitiv për liberalizim të vizave.

Rëndësia e këtij Samiti si dhe konkluzionet dhe të arriturat që mund të dalin nga ai ishte çështje preokupimi edhe për parti politike, ambasadorë shtetesh si dhe organizata dhe institute politike në Kosovë.

Partia e dytë më e madhe opozitare në Kosovë, Vetëvendosje kishte paralajmëruar një protestë në Berlin në prag të këtij Samiti.

“Në prag të Samitit të Ballkanit, i cili do të mbahet të hënën e ardhshme në Berlin, me 29 prill, do të protestojmë para Zyrës së Kancelares së Gjermanisë kundër pazareve Thaçi-Vuçiq”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në takimin e Berlinit të prezantohet shteti i Kosovës me një zë unik”, thoshte deklarata e Institutit Demokratik të Kosovës, KDI, duke u bërë bërë thirrje përfaqësuesve më të lartë të shtetit që në takimin e Berlinit ta prezantojnë shtetin e Kosovës me një zë unik sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjeve që ndërlidhen me këtë proces.

Sipas këtij Instituti, një qasje e koordinuar institucionale reflekton edhe vullnetin qytetar.

Pothuajse njëkohësisht edhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i shkruajnë letër Merkelit dhe Macronit, në prag të Samitit të Berlinit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë iu drejtua me një letër kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës Emmanuel Macron duke shpresuar se kjo nismë po vjen në kohën e duhur dhe do të duhej t’i jipte një shtytje të re procesit të ngadalshëm dhe plot konvulsione të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në vendet e rajonit duke refuzuar ndonjë plan eventual për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh.

Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes liderit të saj, Isa Mustafa, ka deklaruar se LDK nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë dhe karakterin unitar të vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, kishte dhënë një mesazh në lidhje me këtë takim në të cilin do të diskutohej për gjendjen aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Veseli ka thënë se Berlini është kërthiza e Europës kurse Kosova është kërthiza e Ballkanit.

“Që të ruhen edhe njëra edhe tjetra duhet të mos jenë të ndara, por të bashkuara. Njëra nuk mbrohet duke e dëmtuar tjetrën, por vetëm duke e respektuar, kuptuar, ndihmuar dhe mbrojtur!”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ndërkohë edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Samiti i Berlinit është ngjarje me rëndësi për të filluar një dinamikë të re drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Hoti ka thënë se beson që plani për korrigjim të kufijve do të mbyllet si ide.

“Duke e ditur qëndrimin e Gjermanisë lidhur me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, besoj se plani i mbrapshtë për korrigjim të kufijve do të mbyllet si ide”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Dhe teksa dita e Samitit të Berlinit po afrohej, edhe deklarimet e krerëve të shtetit në lidhje me këtë Samit po shtoheshin edhe më shumë.

Gjatë një konference më gazetarë, në prag të nisjes për në Berlin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk pret që në këtë takim të ketë dialog apo negociata mes Kosovës dhe Serbisë por ky Samit do të jetë një mundësi e mirë që të hapen perspektiva më të shpejta për të ardhmen europiane të rajonit.

Presidenti ka përsëritur qëndrimin e tij sa i përket idesë për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës duke ripërsëritur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe se pret mbështetje nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron sa i përket kësaj çështje.

Një draft konkluzion në lidhje më Samitin e Berlinit i bërë publik në prag të këtij Samiti nuk përmend as korrigjimin e kufijve e as taksën 100% të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj produketeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Aty as që përmendet korrigjimi i kufijve, i cili është proklamuar deri më tani si ide për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nuk përmendet as heqja apo pezullimi i tarifës së Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, e cila ka pamundësuar vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Me të arritur në Berlin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se diaspora kosovare në Gjermani i ka mbështetur pareshtur të gjitha proceset në Kosovë. Presidenti i bëri këto deklarime gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Ambasadën e Kosovës në Berlin.

“Diaspora jonë në Gjermani, tash e katër dekada, pareshtur i ka mbështetur të gjitha proceset në Kosovë: lirinë, pavarësinë, shtet-ndërtimin. Për këtë të fundit, së bashku mund të bëjmë edhe më shumë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur një takim me bashkatdhetarët kosovarë në Berlin ku ka vlerësuar angazhimin dhe rolin e madh që diaspora kosovare në Gjermani ka luajtur nëpër të gjitha proceset në të cilat ka kaluar Kosova.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, si pjesë në Samitin e Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters” ku ka theksuar nevojën dhe rëndësinë e Samitit të Berlinit dhe nevojën e rifillimit pa kushte të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky dialog duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në një konferencë të përbashkët me gazetarë në mjediset e Ambasadës së Kosovës,  presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj kanë folur shkurt për Samitin , i cili u organizua nga kancelarja gjermane Angela Merkel e në të cilin morën pjesë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Të pyetur rreth një draft-dokumenti që ka qarkulluar një ditë para Samitit, me të cilin Kosova e Serbia zotohen për angazhim në dialog, që të dy liderët kosovarë mohuan të jenë në dijeni për një dokument të tillë dhe në të njëjtën kohë refuzonin t’i përgjigjen pyetjes nëse janë koordinuar mes vete për këtë takim në të cilin do t’i kishin përballë homologët serbë, Aleksandar Vuçiq dhe Ana Bërnabiq.

Pak më vonë, gjatë ditës, para mediave në Berlin pas një takimi që ka zhvilluar me shefen e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se taksa prej 100 për qind e vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave serbe dhe boshnjake është legjitime dhe se ajo do të mbetet dhe paralajmëroi se nëse Serbia do të vazhdojë me qëndrimin e saj të deritanishëm karshi Kosovës atëherë do të përballet me masa edhe më të rënda të reciprocitetit.

Kjo deklaratë e Thaçit duket të jetë një qëndrim ndryshe në raport me taksën e vendosur kundër mallrave të Serbisë, duke pasur parasysh trysninë që ushtronte ndaj kryeministrit Haradinaj për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, me arsyetimin se kështu po kërkonin miqtë e vendit, sidomos Administrata e presidentit Donald Trump.

Pas këtij takimi Thaçi po ashtu ka deklaruar se BE dhe ShBA mbështesin arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do t’i sillte edhe më shumë paqe e stabilitet rajonit dhe Europës.

“Ne diskutuam për zhvillimet rajonale dhe rëndësinë e integrimit evropian të tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për ne, fqinjët tanë dhe vetë Bashkimin Europian, një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku”, është shprehur Thaçi.

Mirëpo jo vetëm Thaçi kishte takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini në Berlin.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq u takuan me Federica Mogherinin.

Media serbe ‘N1’ raportoi se takimi në zyrat e Këshillit Europian filluan me traditën serbe të paraqitjes dhe thyerjes së vezëve të pashkëve ortodokse.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiq në Twitter gjithashtu ka publikuar fotografi të Mogherinit duke u përshëndetur me presidentin kosovar, Hashim Thaçi, kryeministrin e Bosnjës, Denis Zvizdiç, si dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarja e Gjermanise, Angela Merkel ka deklaruar se në takimin që do të niste pas pak do të shohin se cilat janë çështjet ku mund të japin një impuls për të avansuar gjërat.

“Me Francën kemi përgjegjësi të përbashkët që gjërat në këtë rajon të përparojnë. Marrëveshja Greqi-Maqedoni e Veriut është një shembull që përmes bisedimeve mund të arrihen zgjidhje për problemet”, tha kancelarja.

Sipas shefes së Qeverisë gjermane në këtë takim do të diskutohej edhe për procesin e përafrimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se si ata mund ta ndihmojmë këtë proces.

“Samiti i Berlinit është një rast i mirë për të folur hapur për të gjitha çështjet dhe duhet të theksojmë se ky samit është një hap i vogël në rrugën e gjatë dhe nuk është një proces që do përfundojë menjëherë me rezultate”, theksoi Angela Merkel.

Më pas, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se me kancelaren Merkel janë pajtuar më parë të organizojnë një takim për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar në mënyrë të hapur për çështjet më të ndjeshme dhe për stabilitetin e regjionit.

Me të nisur samiti, në fjalimin e tij të hapjes, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar vendime të guximshme në rajon dhe BE dhe ka kërkuar po ashtu që nga ky takim të mos dalin vetëm deklarata abstrakte. Ai ka deklaruar po ashtu se njëri ndër e para të BE-së duhet të jetë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka theksuar disa herë brenda Samitit të Berlinit rëndësinë e integritetit territorial të Kosovës duke e potencuar faktin se rishikimi i kufijve mund të çojë edhe në dhunë.

“Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një vale të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës.Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për të hapur kufijtë tanë, dhe jo për të krijuar kufi të rinj”, tha ai.

Po ashtu Haradinaj insistoi në çështjen e liberalizimit të vizave.

“Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat e njëjta siç i gëzojnë vendet tjera – dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtare e Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Haradinaj.

Pas përfundimit të takimit disaorësh, ishte presidenti Thaçi ai i cili doli me një deklaratë duke thënë se  ky takim përfundoi arritjen e ndonjë rezultati. Samitin e Berlinit dhe më pas darkën e përbashkët të liderëve, Thaçi e përshkroi me një fjali: “Jemi pajtuar që të mos pajtohemi”.

Sipas tij takimi ka qenë i rëndë dhe pa rezultate konkrete.

I pyetur lidhur me përafrimin e qëndrimeve të tij me Kryeministrin Ramush Haradinaj ai tha se “këtu jemi përballë Serbisë, dhe përballë Serbisë duhet të jemi së bashku pavarësisht kush çfarë pozicioni mban” Presidenti i Kosovës, ashtu siç edhe pritej, ka përsëritur premtimin e tij që të bashkojë tre komunat me shumicë shqiptare në Serbi, me territorin e Kosovës. Kjo sipas tij do të bëhet pa shkëmbyer terrritor të Kosovës me Serbinë.

Këtë qëndrim, thotë presidenti, e ka përsëritur pas përfundimit të Takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin.

“Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, do të punoj fuqishëm që Presheva, Medvegja dhe  Bujanovci të bashkohen me territorin e Republikës së Kosovës sepse është një korrigjim historik i padrejtësive që kanë ndodhur ndaj nesh”, tha Thaçi.

Një ditë më pas,  Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi së gjatë ditës së djeshme ka pasur një dakordim nga të gjithë të pranishmit në Berlin se nuk do të ketë diskutim për çështje të territorit dhe të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Kancelarja Merkel është kundër hapjes së temës së kufijve që do të hapte pikëpyetje.

Po ashtu, Haradinaj thotë se  gjatë Samitit ka pasur devijim të diskutimit në momentin kur është filluar të diskutohet për territore.

Megjithëse presidenti Thaçi deklaroi se taksa është e ligjshme dhe do të merren masa të tjera, kryeministri Haradinaj tha se edhe ka pasur një propozim për pezullim të taksës. Ky propozim, sipas Haradinajt, ishte edhe nga Thaçi.

“Ka pasur propozim për pezullim të taksës. Ka qenë një situatë e rëndë me kancelaren Merkel, me presidentin Macron, me kryeministrin Rama, me presidentin Thaçi, kanë qenë të gjithë të mendimit që është mirë me pezullu një kohë. Me i dhanë një mundësi kësaj”, deklaroi Haradinaj.

Mirëpo sipas tij, vetëm marrëveshja për njohje, i zgjidh problemet e tjera.

Liderët kosovarë pritet që së shpejti të takohen sërish për të diskutuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi, kësaj radhe në Paris. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli paralajmëroi këtë takim së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini.

“Nën lidershipin e kancelares Merkel dhe presidentit Macron, perspektiva evropiane e Ballkanit perendimor është e garantuar. Njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve, është kryetema e takimit të shpejtë në Paris nên mbikqyrjen e dy liderëve, që do të jetë ndihmesë për procesin e udhëhequr nga komisionerja Mogherini”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij në Twitter.

Sipas agjencisë së lajmeve Deutche Welle, në fund të këtij Samiti ishte parashikuar nënshkrimi i një dokumenti nga të gjithë pjesëmarrësit, por në fund të takimit zyra e shtypit e kancelares gjermane bëri publik vetëm konkluzionet e kryesisë së përbashkët franko-gjermane.

Sipas këtij dokumenti me konkluzione “Serbia dhe Kosova ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të realizuar marrëveshjet ekzistuese dhe për t’u angazhuar konstruktivisht në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga BE, me synim për të arritur një marrëveshje e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme politikisht dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal.”

Ky dokument me konkluzione nuk përmend as tarifat doganore ndaj Serbisë, e as propozimin për ndryshim kufijsh.