Pamje nga debati i zhvilluar në Malishevë - Foto: Komuna e Malishevës

Banorët Kundër Ndërtimit të Fabrikës

Banorët e Dragobilit dhe të Burimit janë kundër ndërtimit të një fabrike për asgjësimin e mbeturinave në një zonë në mes të këtyre dy fshatrave të Malishevës.

Këtë kundërshtim këta banorë e kanë paraqitur sot në një debat publik të organizuar në Malishevë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor dhe investitori.

Banorët thanë se do të përdorin të gjitha format e mundshme për të kundërshtuar ndërtimin e kësaj fabrike.

“Gjatë debatit, banorët e të dy fshatrave u shprehën kategorikë për moslejimin e ndërtimit të fabrikës për këtë lloj veprimtarie dhe për këtë gjë kërkuan nga Ministria, por edhe nga organet komunale, që ta ndalojnë, në të kundërtën për shkak të afërsisë së vendbanimit banorët do të duhet të reagojnë në të gjitha format e mundshme për mbrojtjen se jetës së tyre nga ndotja që mund të shkaktohet”, njofton Zyra për Informim e Komunës së Malishevës

Në këtë lokacion po mendohet të bëhet asgjësimi i barnave me afat të skaduar dhe mbetjet spitalore.

“Hartuesi i raportit, Rraif Bytyçi, i cili prezantoi raportin e bërë, megjithatë, nuk dha përgjigje në shumë prej pyetjeve të bëra nga banorët, qoftë për largësinë mes fabrikës dhe vendbanimit, qoftë për filtrin e paraparë të përdoret”, njofton Komuna e Malishevës.

Ata që kishin votuar ndarjen e lokacionit për asgjësimin e mbeturinave, asamblistët e kësaj komune, thanë se kanë votuar për ndërtimin e fabrikës për asgjësimin e mbeturinave e jo të barnave me afat të skaduar dhe mbetjeve spitalore.

Ndërsa, përfaqësuesi i Ministrisë, Shukri Shabani, tha se Ministria do t’i zbatojë rregullat dhe procedurat e saj para dhënies ose mosdhënies së pëlqimit për ndërtimin e kësaj fabrike.