Foto: Zyra e Kryeministrit

Bankat ta Ndihmojnë Ekonominë

Në Bankën Qendrore të Kosovës në takim me Hamzën, përveç Kryeministrit Mustafa ishin edhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami.

Nikoqiri Hamza tregoi se për çfarë u bisedua.

“Kemi biseduar për zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, në theks tëveçantë për zhvillimet në sektorin financiar. Gjithashtu, i kemi biseduar dhe sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohemi, ku disa prej tyre i kemi adresuar, disa janë në procese dhe disa presim që t’i adresojmë në të ardhmen,” tha Hamza.

Hamza sistemin bankar në Kosovë e cilësoi të shëndoshë.

“Kemi rritje të kredive që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, rritja ka qenë për 8.8 për qind që është edhe një kontribuues në rritjen ekonomike të vendit. Sektori është i shëndoshë dhe kreditë joperformuese kanë vazhduar të bien dhe janë 5.8 për qind, që janë më të ulëta në rajon. Është një indikator jashtëzakonisht pozitiv i zvogëlimit të normës së interesit në kredi, ku norma mesatare e interesit në kredi në fund të muajit mars ka rënë në 7.4 për qind,” tha Hamza.

Por guvernatori i BQK-së konstatoi se bankat nuk duhet të punojnë vetëm për vete.

“Realisht ne kemi nevojë për një sektor bankar të fuqishëm, të shëndoshë dhe profitabil, por jo për vetveten, po të jetë në përkrahje të sektorit real, pra të jetë në përkrahje të ekonomisë së vendit,” tha Hamza.

Për Kryeministrin Mustafa kur sistemi bankar është ashtu si duhet, ekonomia e ka sigurinë e funksionimit dhe zhvillimit.

“Ne tani kemi arritë që bankat të ofrojnë kredi cilësore për ekonominë dhe afatet cilësore për zhvillimin e ekonomisë. Kemi trende të mira të zhvillimit, sepse edhe vlerësimet e Bankës Qendrore janë si ato të Bankës Botërore se në do të kemi rritje ekonomike për vitin e kaluar ndërmjet 3.5 deri 3.6 për qind dhe po ashtu një rritje më të madhe ekonomike për vitin e ardhshëm,” tha Kryeministri Mustafa.

Mustafa i konsideroi lajme të mira përveç funksionimit të sistemit bankar edhe trendët pozitvë të mbledhjes së tatimeve dhe qëndrueshmërisë buxhetore.

“Këto janë lajme shumë të mira, sepse objektivi ynë themelor është që të zhvillojmë ekonominë. Ne dëshirojmë që të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Bankën Qendrore dhe se këto procese t’i dërgojmë përpara në interes të zhvillimit ekonomik të vendit,” tha Kryeministri Isa Mustafa.

Në kuadër të sektorit bankar, kreditë vazhdojnë të jenë kategoria kryesore në sistemin financiar me një pjesëmarrje prej 60 për qind në gjithsej mjetet e sektorit.

Dinamika e aktivitetit kreditues në vend vlerësohet të ketë qenë në nivelin më të lartë në tre vjetët e fundit.

http://kallxo.com/sektori-bankar-fitim-vetem-nga-kredite

Performanca financiare e sektorit bankar u përmirësua dukshëm, duke shënuar fitim neto në vlerë prej 94.7 milionë euro në vitin 2015, derisa neto profiti i shënuar në vitin 2014 ishte 60.5 milionë euro.