Foto: BQK.

Guvernatori Ismaili takoi drejtuesit e Shoqatës së Bankave të Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorët e tij ka takuar kryetarin e Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Suat Bakkal dhe drejtorin e Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija.

Përmes një njoftimi, BQK ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale të sektorit bankar, me një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë së vendit, i cili ka vazhduar të karakterizohet me stabilitet, nivele të larta të kapitalit, kualitetit të mjeteve dhe likuiditetit.

“Gjithashtu, u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit në mes të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës, duke përfshirë adresimin e sfidave për implementimin e suksesshëm të Rregullores së BQK-së për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike”-thuhet në njoftim.

Po sipas njoftimit, BQK-ja dhe Shoqata e Bankave të Kosovës u dakorduan për të rritur bashkëpunimin dhe komunikimin në mes të këtyre dy institucioneve në funksion të rritjes se efikasitetit të sistemit bankar, digjitalizimin e shërbimeve dhe përkrahjes së ekonomisë në rrethanat aktuale, si dhe projekte tjera qe lidhen me bankimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.