Azem Vllasi. Foto: BIRN

Azem Vllasi: Nuk e Njoh Personin që më Sulmoi

Vllasi u plagos sot në mëngjes te banesa e tij, në rrugën “Hajdar Dushi”, në Prishtinë ndërsa Policia arrestoi pak orë më vonë dy persona të dyshuar.

Sipas Vllasit, personi i cili gjuajti me armë ndaj tij është një person i porositur, pasi thotë se nuk ka pasur probleme me asnjë person.

Zyrtarë të Policisë konfirmuan se i dyshuari kryesor për tentim-vrasjen ndaj Vllasit është Murat Jashari, vëllai i komandantit të UÇK-së, të vrarë në vitin 1998, Ismet Jashari (Komandant Kumanova).

Por Vllasi thotë se nuk e njeh sulmuesin e dyshuar.

“Për që ka qenë i porositun… vjen njeri që nuk e njoh dhe nuk kam pasur problem me to, vjen njeri gjuan me armë me shurdhues. Sigurisht mund të konsiderohet si atentat i përgatitur”, tha Vllasi për KALLXo.com.

Ai shtoi se është jashtë rrezikut për jetë dhe është duke qëndruar nën mbikëqyrjen e mjekëve.

I pyetur nga KALLXO.com nëse kishte kontaktuar ndonjëherë ose kishte marrë ndonjë kërcënim nga sulmuesi, Vllasi tha se, personin në fjalë nuk e njeh dhe nuk kishte kontaktuar asnjëherë me të.

“Njeriun që më sulmoi unë as nuk e njoh as nuk e kam parë kurrë, as një farë punë se kam pasur me të. Nuk e di kush ka qenë në derën time. Ai kishe po më pyet diçka, u kacafyt me mu e ka nxjerrë armën, asi shurdhuese, edhe ka shkrepë njëherë dhe më ka kapë në krah. Absolutisht nuk e di se kush ishte ai njeri as për çfarë motive as kush e ka shti ata me e ba këtë vepër”, tha Vllasi.

Përderisa Vllasi thotë se në derën e shtëpisë së tij ishte vetëm një person në anën tjetër Policia në një konferencë ka bërë të ditur se për rastin e plagosjes së avokatit Vllasi janë arrestuar dy persona me inicialet M. J dhe A. Ll.

“Në bashkëpunim të ngushtë me AKI ka bërë lokalizimin e personave të dyshuar. Është arritur që të arrestohen dy persona të dyshuar. I dyshuari i parë është M. J., 1956, që dyshohet si kryes i tentim- vrasjes ndërsa i dyshuari i dytë është A. M., 1964, i cili dyshohet si pjesëmarrës në këtë rast”, tha zëdhënësi Kelani.

“Në derën time ka qenë vetëm një person, ju thash nuk e njoh nuk e di unë kuruar problemi nuk kam pasur me askënd”, shtoi më tutje Vllasi.

KALLXO.com që nga orët e para të mëngjesit ka përcjellur rastin e avokatit Azem Vllasi.

http://kallxo.com/avokati-vllasi-u-nenshtrohet-fotografimeve-ne-qkuk/

http://kallxo.com/policia-po-e-hetojme-vrasjen-ne-tentative-te-vllasit/

http://kallxo.com/lenjani-vllasi-nuk-ka-nevoje-per-operim/

http://kallxo.com/policia-jep-detaje-per-tentim-vrasjen-ndaj-azem-vllasit/