Arkiv - Nga gjykimi i grupit 'Syri i Popullit'. Foto: Kallxo.com

Gjykimi i ‘Syrit të Popullit’ mbyllet me tensione e polemika

Ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur për opinionin si gjykimi i organizatës “Syri i Popullit”.

Seanca e fundit e këtij procesi të gjatë gjyqësor u përshkua me tensione të mëdha dhe polemika nga ana e të akuzuarve drejtuar prokurorit.

Tensionet filluan në momentin kur Prokurori Special, Sylë Hoxha, rinisi fjalën përfundimtare.

Me t’u ngritur në këmbë, Prokurori Special Sylë Hoxha, ua bëri me dije të gjithë të akuzuarve se “nuk i frikësohet askujt” ndonëse pretendonte se gjatë gjykimit, i akuzuari Sadri Ramabaja ia kishte drejtuar gishtin.

“Gjatë fjalës përfundimtare unë u detyrova me reagu në komentet e pabazuara të avokatit Krasniqi dhe të akuzuarit Sadri Ramabaja. Ne një moment të caktuar, i akuzuari Ramabaja e drejtoi gishtin nga unë. Po ua bëj me dije se nuk i frigohna askujt dhe s’ju kam frigu as regjimit serb. Gjithë punën time e din të gjithë”, deklaroi Sylë Hoxha.

Ai tha se gjatë këtij procesi është ofenduar nga i akuzuari Ramabaja dhe avokati i tij.

“Gjatë fjalës time i akuzuari përdori fjalë ofenduese jo vetëm ndaj sistemit të drejtësisë e sistemit politik, por edhe me quajti ‘njeri i “UDB-ës’ dhe i ‘klanit Pronto’, duke me thënë se kjo akuzë është ngritë me planin e SHIK-ut”, deklaroi prokurori.

Këto fjalë të prokurorit ngritën në këmbë edhe të avokatin Ramiz Krasniqi si dhe të akuzuarin Sadri Ramabaja.

Avokati Krasniqi deklaroi se vet fakti se prokurori ka propozuar dëshmitarë të dëmtuarit e ka dërguar përkuljen e tij para tyre.

“Prokurori më akuzoi se unë kam mbajt falim politik. Është e vërtet sepse akuza ishte politike. Prokurori prezent është jo pak por tepër i ndikuar nga klani ‘Pronto’. Unë i them prokurorit se dëshmitarët që ky i ka thirrë si të dëmtuar ka qenë përkulje e tij para tyre”, tha Krasniqi.

Situata u tensionua edhe më shumë kur avokati iu drejtua prokurorit Hoxha me fjalët: “Prokuror kisha dashur të jetë kjo aktakuza juaj fundit kësisoj”.

Polemikat në sallë vazhduan, ndërsa i akuzuari Sadri Ramabaja u deklarua se po ngritet në këmbë pasi “nuk mund ta dëgjojë një analfabet juridik”, duke aluduar kështu në prokurorin Sylë Hoxha.

“Pozicioni im prej intelektuali nuk më lejon të dëgjoj një analfabet juridik. Përpjekja ime për ta lëshuar atdheun për herë të dytë është rrjedhojë e të njëjtave segmente te UDB-ës,  që janë në kuadër të sistemit tonë të drejtësisë”, tha i akuzuari Ramabaja.

Gjatë gjykimit, ndonëse ishte mbrojtur në heshtje, fjalën e mori edhe njëri nga të akuzuarit kryesorë të këtij grupi, Murat Jashari.

Jashari në gjykim deklaroi se ishte ai i cili e kishte shkruar listën e personave që duhet vrarë.

“Listën se kush duhet mu vra e kam ba unë, sikurse as s’ja kam dhanë askujt për me e lexu. I kam shkru do letra, një për Behxhet Luzhën, një për Ismet Bexhetin, një për Ramadan Besnikun”, tha Jashari.

Por ai shtoi se Prokurori i rastit Sylë Hoxha duhet të tregojë duhet të tregojë se kush i ka lëshuar komunikatat.

“Kush e ka shkru komunikatën duhet ta tregoj vet Sylë Hoxha. Në emër të ‘Syrit të Popullit’ kanë shkru dhe ketë duhet me e zbulu Prokurori se kush pi shkrun në emër të ‘Syrit të Popullit’ këto letra”, tha Jashari.

Në ketë proces gjyqësor për vepra kundër rendit Kushtetues po akuzohen Murat Jashari, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Arrestimi i këtij grupi ishte bërë pas plagosjes së avokatit kosovar, Azem Vllasi në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.