ARKIV - Foto: Kallxo.com

VIDEO - Krejt çka ndodhi në seancën e zhurmshme të dënimit të grupit ‘Syri i Popullit’

Një vit e 10 muaj pas ngritjes së aktakuzës, Avni Llumnica, Murat Jashari, Sadri Ramabaja, Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Halim Halimi dhe Behxhet Luzha janë gjetur për pjesëmarrje në  organizatës “Syri i Popullit” me të cilën kryen veprën penale përgatitja e veprimeve kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe u dënuan me një total prej 40 vjet heqje lirie.

I akuzuari Avni Llumnica për veprat penale ndihmë në hakmarrje për plagosjen e Azem Vllasit, për dhunim dhe organizim terrorist kundër rendit kushtetues u dënua me burgim unik prej 12 vitesh.

I akuzuari Bajrush Konjusha për veprat penale përgatitja e veprave terroriste kundër rendit kushtetues dhe armëmbajtje pa leje u dënua me 3 vjet burgim dhe 300 euro gjobë.

I akuzuari Murat Jashari për veprat penale hakmarrje dhe përgatitje e veprave kundër rendit kushtetues të Kosovës iu shqiptua masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor në kohëzgjatje pre 10 vitesh.

I akuzuari Sadri Ramabaja për veprën penale përgatitje e veprave terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës u dënua me burgim prej 5 vjetësh.

I akuzuari Ragip Sallova për veprën përgatitje e veprave terroriste kundër rendit kushtetues u dënua me 4 vjet.

Halim Halimi i akuzuar për përgatitjen e veprave terroriste kundër rendit kushtetues u dënua me 3 vjet burgim dhe Behxhet Luzha për po të njëjtën vepër penale u dënua me 2 vjet burgim.

Ndërsa për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha prokurori special Sylë Hoxha kishte hequr dorë nga ndjekja penale në seancën e 16 janarit.

I dëmtuar në këtë çështje penale është Azem Vllasi i cili u udhëzua në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Lidhur me këtë vendim të gjykatës shprehu pakënaqësi motra e të akuzuarit Avni Llumnica, Mevlude Llumnica e cila tha se këtë vepër vëllait të saj ia kishin ngjitur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Poashtu lidhur me këtë vendim pati reagime edhe brenda gjykatës ku njëri prej familjarëve të të akuzuarve i tha gjykatës se “ju jeni gjykatë e Prontos”.

Familjarja e të dënuarit në rastin ‘Syri i Popullit’ me akuza ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit

E këtë deklarim të familjarëve të të akuzuarve e përforcoi edhe avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Sadri Ramabaja, i cili deklaroi se “Klani Pronto e dënoi Sadri Rambajën”.

Sipas Prokurorisë Speciale, Azem Vllasi më 13 mars 2017,  në orën 7:50 të mëngjesit, në banesën e tij në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë ishte qëlluar me armën “Crvena Zastava” me shurdhues nga i akuzuari Murat Jashari në krahërorin e majtë e që për Vllasin rezultoi me pasoja të përhershme.

Prokuroria pretendon se Murat Jashari nuk u mjaftua me shkrepjen e parë të armës, dhe kishte tentuar të qëllonte për herë të dytë por arma i kishte bllokuar, andaj edhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Vllasi para se të plagosej kishte marrë telefonata me prefiks prej Rusisë.

Azem Vllasi: Pas plagosjes pata thirrje me prefiks rus

Tentim vrasja kishte ndodhur pasi i akuzuari Murat Jashari, kishte rënë në kontakt me tani të dëmtuarin Vllasi për ta angazhuar atë si avokat për një çështje të natyrës civile.

Prokuroria thotë se i akuzuari Murat Jashari për ta angazhuar Azem Vllasin si avokat të tij kishte për qëllim t’i afrohej sa më afër për ta eliminuar fizikisht.

Vllasi ishte personi i parë në listën e titulluar “Lufta e Pambaruar” që duhej të eliminohej fizikisht pasi ishte shpallur si tradhtar për bindjet e tij lidhur me demonstratën e vitit 1981.

Prokuroria pretendonte se lista me emrat e personave që ishin shpallur tradhtarë dhe që do të likuidoheshin fizikisht ishte shkruar nga i akuzuari Murat Jashari me nofëkn “Sakati” e ishte redaktuar nga i akuzuari Sadri Ramabaja.

Jashari gjatë mbrojtjes së tij kishte thënë “listën se kush duhet të vritet e kam shkruar vet”.

Murat Jashari: Listën se kush duhet të vritet e kam shkruar vet

Pasi në atë listë ishin të shkruar për likuidim fizik edhe emrat e krerëve shtetërore, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli të cilët veprimtarinë e organizatës “Syri i Popullit” e lidhën me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën.

Deklaratat e Thaçit dhe Veselit se pas ‘Syrit të Popullit’ qëndrojnë Kurti e Konjufca aktivizoi dy të fundit për të ngritur kallëzim penal pranë Policisë së Kosovës, e të përcjellë edhe me deklarim pranë Prokurorisë në Prishtinë.

Kurti: Që dy muaj dërguam kallëzim penal për Thaçin e Veselin, ende s’kemi marrë asnjë thirrje

Kurti flet për akuzat e Thaçit në rastin ‘Syri i Popullit’

 

E lidhur me deklaratat e Kurtit dhe Konjufcës në Prokurorinë e Shtetit kishte reaguar edhe Kadri Veseli emri i të cilit gjindej në listën për ekzekutim.

Ish kryeparlamentari Kadri Veseli, në të njëjtën ditë që Kurti kishte deklaruar në Prokuroi për shtypin tha se “ato çfarë kam thënë janë të vërteta” lidhur me akuzat ndaj Kurtit e Konjufcës.

Kadri Veseli për Syrin e Popullit: Ato që i kam thënë janë të vërteta

Ndërsa vendimin e gjykatës me të cilin u dënuan të akuzuarit e ka përshëndetur PDK-ja duke thënë se “dënimi për organizatën terroriste është lajm i mirë për qytetarët, sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë”.

Familjarja e të dënuarit në rastin ‘Syri i Popullit’ me akuza ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit

Listën për vrasjen e Azem Vllasit e pasonin emrat Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isam Mustafa, Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, emrat e ish komandantëve të UCK-së, ish kreytarët e gjykatave, ish kryeprokurorët, ish drejtorët e doganave, klerikët fetarë, analistët e publicistët të cilat nga organizata ‘Syri i Popullit’ ishin shpallur tradhtarë dhe kishin formuar fondin e quajtur “Liria e Atdheut” për eliminimin fizik të tyre.

Ky proces gjyqësor ka filluar me dyer të mbyllura për publikun pasi në seancën ku do të deklaroheshin të akuzuarit rreth fajësisë u përjashtua publiku për qëllim “të ruajtjes së sekretit shtetëror”.

Arsyet e Mbylljes së Gjykimit Ndaj të Akuzuarve të ‘Syrit të Popullit’

Kjo seancë u mbyll për publikun edhe kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e intervistoi të akuzuarin Ramabaja.

Hashim Thaçi ftohet ta intervistoj Sadri Ramabajën

Poashtu ky gjykim u mbajt me dyer të mbyllura edhe kur u dëgjua dëshmitari i mbrojtur, seanca atë ditë ishte mbajtur në Gjykatën e Prizrenit.

Plagosja e Azem Vllasit, dëshmitari i mbrojtur e barti seancën në Prizren

Në këtë gjykim ishte kërkuar përjashtimi i prokurorit Sylë Hoxha dhe trupit gjykues me Naime Jashanicën, Vesel Ismaili dhe Valbona Selimaj por kërkesa e tillë ishte refuzuar si nga gjykata ashtu edhe nga Apeli.

Nga ngritja e aktakuzës, e deri me shpalljen e vendimit kanë kaluar 694 ditë ose 1 vit e 10 muaj e 26 ditë.

Aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori special Sylë Hoxha i cili nuk ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit ndërsa kryetare e trupit gjykues në këtë çështje penale ishte Naime Jashanica e cila ndonëse shqiptoi 40 vjet heqje lirie nuk e arsyetoi dënim se cilat ishin rrethanat rënduese dhe shfajësuese dhe cilat ishin faktet që kishin bindur trupin gjykues për fajësinë e të akuzuarve.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 27 shkurt 2018.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Speciale ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve Lirije Luzha dhe Sabit Berisha.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.