Xhavit Haliti

Avokati: Xhavit Haliti ka imunitet gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti  ka publikuar deklaratën e avokatit të tij, Kujtim Kerveshit në lidhje me ngritjen e aktakuzës ndaj tij për sulm ndaj deputetit, Arben Gashi.

Avokati i Halitit, thotë se rasti në fjalë nuk ka të bëjë me vepër penale.

“Ju njoftoj se kam pranuar aktin akuzues të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Konsideroj se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vepër penale”, ka shkruar Haliti në Facebook, në emër të avokatit të tij, Kujtim Kërveshi.

Avokati pretendon se Xhavit Haliti, si deputet ka pasur imunitet dhe se Prokuroria ka ndërhyrë në institucionet ligjore të njohura.

“Edhe po të kishte vepër penale për të mbrojturin tim, konsideroj se Prokuroria e Shtetit ka ndërhyrë në institucione ligjore të njohura edhe pse do të duhet të kishte parasysh kufizimin e autoritetit të saj ndaj imunitetit funksional duke qenë se bëhet fjalë për një situatë gjatë së cilës deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë duke ushtruar detyrën zyrtare”, thuhet tutje në reagimin e avokatit, Kujtim Kërveshi.

Mirëpo, në të kaluarën, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë arrestuar, ndaj tyre ishte ngritur aktakuzë e madje edhe janë dënuar nga Gjykata për veprat që i kanë bërë brenda Kuvendit të Kosovës.

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar me burgim me kusht për hedhje të gazit lotsjellës deputetët, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg.

Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj.

Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Prokuroria e Prishtinës me 31 maj 2019 ka ngritur një aktakuzë ndaj dy deputetëve të Kuvendit, Xhavit Haliti e Gani Dreshaj.

Deputeti Xhavit Haliti akuzohet për veprën penale të sulmit me pretendimin se e ka sulmuar deputetin e LDK-së Arben Gashin, ndërsa Gani Dreshajn Prokuroria e akuzon me veprën penale të kanosjes pasi që siç thuhet në aktakuzë Dreshaj më pas e kishe kanosur deputetin Arben Gashi.

https://kallxo.com/perleshje-mes-xhavit-halitit-e-arben-gashit-ne-kuvend/