Besnik berisha, avokat. Foto: Kallxo.com

Avokati Pret Lirimin e Naser Kelmendit në Shkallë të Dytë

Avokati i Naser Kelmendit, Besnik Berisha, është i bindur se do e rrëzojnë në shkallë të dytë vendimin e gjykatës, e cila e gjeti fajtor për trafikim me drogë dhe e dënoi me 6 vite burgim të mbrojturin e  tij.

Berisha në intervistën për emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se ky aktgjykim është bërë si kompromis për të mbuluar dështimet e prokurorisë.

“Jam i bindur se ajo për çfarë është shpallur fajtorë z. Kelmendi nuk qëndron dhe do të rrëzohet më lehtë se gjithçka tjetër”, ka deklaruar ai.

Avokati Berisha ka shtuar se klienti i tij Naser Kelmendi meriton kërkim-falje, nga siç tha ai ata që “e kanë njollosur në vazhdimësi dhe pa asnjë provë të vetme”.

“Fakti që z. Kelmendi është në listën e zezë të Amerikës është pikërisht për shkak të prokurorëve të dështuar që janë jo vetëm këtu, por edhe në Bosnjë dhe në shtete tjera. Fakti që është ai në atë listë është për shkak të dëshmitarëve të pa-shpirt, të korruptuar, kriminel të vërtetuar të cilët në emër të konvertimit të lirisë dhe në emër të shlyerjes së kaluarës tyre e kanë nxjerrë z. Kelmendi për ta bërë njëri me nam për të përfituar vet. Por, kjo me kohë do të demantohet”, ka thënë Besnik Berisha.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë nuk e ka patur guximin që të nxjerrë një aktgjykim të plotë dhe lirues për Naser Kelmendin.  Por sipas tij kjo do të ndodhë në Gjykatën e Apelit.

“Në qoftë se këta e mbështesin aktgjykimin në prova, z. Kelmendi para verës së ardhshme do të jetë si qytetar i lirë me një të kaluar të pastër dhe të njohur ndërkombëtarisht”, ka deklaruar avokati i Kelmendit, Besnik Berisha.