Avokati i 'Abi Çarshisë': Inspektorati i Komunës po vepron qëllimshëm dhe kundërligjshëm

Avokati i ‘Abi Çarshia’, Betim Kadolli në një konferencë për media ka thënë se veprimet e Inspektoratit të Prizrenit janë të ngutshme dhe të qëllimshme.

Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme për siguri është një vendim i drejtë sepse objekti gjendet në procedurë ligjore të legalizimit sipas ligjeve në fuqi.

“Veprimet e drejtorisë  së Inspektoratit në Komunën e Prizrenit janë të ngutshme dhe të qëllimshme kanë qenë kundërligjore sepse investitori të gjitha investimet i ka kryer në pronë private dhe posedon çertifikatën mbi të drejtën e pronësisë. Inspektorati me veprime të padrejta vepron dhe merr veprime të kundërligjshme duke filluar rrënimin e objektit duke u thirrur ka vepruar kundërligjshëm në pronë publike, se nuk është i pajisur me leje etj. Gjykata Themelore në Prizren ka bërë një veprim të drejtë duke nxjerrë një aktvendim të ligjshëm që e ndalon çdo vendim dhe veprim të Inspektoratit duke u thirrur në atë se Inspektorati ka bërë shkelje ligjore”, ka deklaruar Kadolli.

Gjykata Themelore në Prizren sot ka vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje të Abi Çarshisë.

Drejtori i Inspektoratit, Islam Thaqi, ka thënë se Komuna e Prizrenit do ta respektojë vendimin e gjykatës për masë të përkohshme.

Thaqi ka shtuar se presin një vendim të ligjshëm rreth kësaj çështje.

“Ne e kemi pranuar vendimin 15 minuta në orën 12 vendimin e Gjykatës, ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës, shpresojmë që do të vendosë drejt, ky vendim sot është nxjerrë sot me kërkesë nga pala, katër kallëzime penale janë për investitorin dhe vetëm për njërën ka një aktakuzë, ne do ta respektojmë vendimin për masë të përkohshme për sigurim, ku i ndalohet Komunës së Prizrenit të rrënojë objektin e Abit, shpresojmë për një vendim të ligjshëm”, ka thënë Thaqi.

Komuna e Prizrenit ka marrë vendimin për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata 15 minuta para se makineritë të dilnin te objekti, sipas drejtorit Thaqi.

Po ashtu, Prokuroria e Prizrenit,  departamenti për krime të rënda ka filluar hetimet ndaj zyrtarëve që kanë marrë pjesë në rrënimin e aneks objektit pa leje të ‘Abi Çarshisë’. Ata po dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo ishte arsyeja pse Gjykata e Prizrenit vendosi masë të sigurisë, duke mos lejuar rrënimin e këtij objekti, që ishte planifikuar të bëhet sot nga komuna.

“Departamenti për krime të rënda, gjykatës ia ka përcjellë aktvendimin për fillimin e hetimeve kundër të pandehurve Islam Thaqi, drejtor i drejtorisë së inspektoratit pranë Komunës së Prizrenit, Jetmire Vrenezi, inspektore komunale e ndërtimtarisë pranë Komunës së Prizrenit, Arjan Taraku, zyrtar në inspektoratin komunal të ndërtimtarisë pranë Komunës së Prizrenit, Shqipron Krasniqi, jurist pranë Komunës së Prizrenit dhe Isë Bislimaj, zyrtar në inspektoratin komunal të ndërtimtarisë pranë Komunës së Prizrenit”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Sipas Prokurorisë të lartpërmendurit po hetohen për shkak të dyshimit të arsyeshme se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

https://kallxo.com/prokuroria-fillon-hetimin-e-zyrtareve-qe-moren-pjese-ne-rrenimin-e-abi-carshise/