Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti

Avdullah Hoti për Arrestimin: Pamjet e Tilla të Mos Përsëriten

Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së teksa doli në një konferencë për gazetarë për të dhenë shpjegime rreth shtyrjes së seancës së sotme të Kuvendit, u pyet edhe për arrestimet e sotme të tre deputetëve të Vetëvendosjes.

Hoti tha se ngjarjet e tilla nuk duhet të përsëriten, ndërsa konstatoi që drejtësia duhet kërkuar brenda sistemit.

“Ngjarjet e tilla dhe pamjet e tilla nuk duhet të përsëriten, por unë i ftoj të gjithë që t’i nënshtrohen sundimit të ligjit dhe të respektohen organet e drejtësisë, të kërkojnë drejtësinë përmes rrugëve ligjore dhe kushtetuese”, tha Hoti.

Ai më pas deklaroi se LDK-ja lëshoi seancën e sotme të Kuvendit në shenjë pakënaqësie për vendimin, siç e quajti ai, me mbivotim, të marrë dje nga kryesia.

“Duke përdorur mbivotimin caktoi sot seancën në orën 10:00 që nuk është praktika më e mirë e Kuvendit. Ne sot e lëshuam mbledhjen si shenjë pakënaqësie me këtë formë të udhëheqjes dhe funksionimit të Kuvendit. Me këtë praktikë parlamentare nuk ka stabilitet institucional”, tha Hoti.

Seanca e paraparë për orën 10:00 u ndërpre në mungesë kuorumi. Vetëvendosje nuk ishte në sallë e LDK e lëshoi mbledhjen.