Mbledhja e komisionit | Foto: KALLXO.com

Auditori Gjen Parregullsi te Kompanitë e Mbeturinave

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike po shqyrtohen pasqyrat financiare të kompanive për heqjen e mbeturinave.

Vlora Mehmeti, ndihmës auditorë e Auditorit të Përgjithshëm paraqiti raportin për kompaninë “Menaxhimi i Deponive të Kosovës” dhe kompaninë “Pastërtia” në Ferizaj.

Mehmeti tha se nga auditimi është paraqitur gjendja reale në kompaninë “Menaxhimi i deponive të Kosovës”, por tha se ka pasur gabime.

Ajo deklaroi se kjo kompani nuk ka arritur te përmbushë rekomandime te dhëna nga Auditori i Përgjithshëm.

Por Hafiz Krasniqi, përfaqësuesi i “Menaxhimit të Deponive të Kosovës”, tha se kompania ka kryer disa rekomandime të auditorit.

“Kompania ka arritur t’i kryejë disa rekomandime të auditorit dhe ka qenë udhërrëfyes për ne. Megjithatë problem është baza e ulët e tarifës për grumbullimin e mbeturinave 3. 5 për qind . Kemi dallime nga vendet e rajone ne këtë tarifë”, tha Krasniqi.

Ai deklaroi më tutje se kjo kompani kur është marrë nga menaxhimi i UNMIK-ut ka pasur borxhe të mëdha, ndërsa deklaroi se është i kënaqur me arritjet.

Krasniqi kërkoi rritje të tarifës së mbeturinave për të pasur një ambient si duhet.

Shqipe Pantina, anë tarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike shprehu shqetësimin pse kompania nuk i ka zbatuar raportet e auditorit.

“Nuk e di pse a kanë pasë mungesë të resurseve  për të mos i përmbushë këto rekomandime apo mungesa profesionale. Nuk mund ta lëmë kompaninë në duar të njerëzve të cilët kanë mungesë profesionale”, tha Pantina.

Faton Topalli anëtari tjetër i komisionit tha se nuk është i sigurt që kompania “Menaxhimi i Deponive të Kosovës” ka pasur performancë të keqe vetëm nga tarifat e ulëta për mbeturina.

“Nuk jam i sigurt për çështjen e tarifave, por mund të jetë edhe ajo duke e krahasu me vendet e rajonit. Ajo qe del në raport del që nuk ka një pasqyrë për të hyrat dhe borxhet e kësaj kompanie”, tha Topalli.

Ndihmës-auditorja Vlora Mehmeti paraqiti pastaj raportin për Kompaninë e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj.

Tha se kompania ka operuar me humbje.

“Pasqyrat financiare të kësaj kompanie nuk paraqesin një gjendje reale.Kompania ka operuar me humbje mbi 51 mijë euro, dhe kjo si pasojë e rritjes së pagave, punëtorëve etj”, tha Mehmeti.

Ajo deklaroi edhe se ka pasur “angazhim të personelit pa konkurs”.

Por Dukagjin Etemi, kryeshef i kompanisë “Pastrimi” në Ferizaj tha se shtatë rekomandime të auditorit janë përmbushur, ndërsa nuk është plotësuar vetëm një rekomandim për vlerësimin e aseteve.

“Vlerësimi i aseteve të kompanisë nuk është permbushë si rekomandim për shkak të financave. Ky vlerësim kushton 25 mijë euro andaj nuk është bërë”, tha Etemi.