Asamblistë opozitarë në Drenas protestojnë kundër Ramiz Lladrovcit

Asamblistë të opozitës së Drenasit kanë vendosur pankarta pranë objektit të Komunës duke shprehur pakënaqësitë e tyre për shkak të padive që kryetari Ramiz Lladrovci po u bënë atyre.

Ata thonë se përmes presionit dhe padive Lladrovci po tenton ta ndalojë fjalën e lirë, duke i bërë thirrje që të ndalë veprimet e tilla.

“Ne i bëjmë thirrje Lladrovci që të ndal veprimet e tij të kundërligjshme që ka filluar tash e sa kohë dhe të ndal presionin kundër fjalës së Lirë dhe të vërtetës në Drenas. Ne asnjëherë nuk do të zmbrapsemi nga qëllimet tona të pastra që të denoncojmë çdo keqqeverisje, dhe z.Lladrovci në vend të ndjekjes së opozitareve është mirë që kohën ta shpenzojë për përmirësimin e jetës së qytetareve dhe për obligimet e tij kushtetuese për një qeverisje demokratike dhe me vlera”, thuhet në postimin asamblistit të IQD-së, Petrit Gashi në rrjetin e tij social ‘Facebook’.

Gashi në emër të protestuesve ka thënë se nuk do të lejojnë me asnjë kusht që Drenasi të shndërrohet në vend të “diktaturës dhe represionit”.

“NE do të vazhdojmë të denoncojmë çdo të keqe në komunën tonë, çdo padrejtësi dhe çdo përpjekje të qeverisjes në Drenas për të shkatërruar Drenasin do të hasë në rezistencën tonë, prandaj protesta në Kuvend është një mesazh për të gjithë ata që mendojnë së Drenasi do të sundohet nga dora e hekurt, së ne do të flasim dhe do të thomë gjithmonë të vërtetën gjithmonë. Veprimet e tilla të z.Lladrovci janë veprime që përçojnë mesazhe tek qytetaret për frikësim, por NE ju bëjmë thirrje qytetareve që të bashkohen masovikisht për ta mundur të keqen dhe për ta denoncuar Padrejtësinë”, thuhet tutje në njoftimin e Gashit.

Kundër këtyre akuzave ka reaguar edhe vetë Lladrovci duke bashkangjitur një foto të tij pranë pankartave.

Sipas tij, në Kosovë nuk lejohet fyerja, shpifja, gënjeshtra, mashtrimi, sepse, ato nuk janë shprehje demokracie por e kundërta e demokracisë.

“Tepër qesharake se si disa eksponent opozitarë, përpiqen ta promovojnë gënjeshtrën dhe shpifjen si liri të shprehjes. Secili që ka vetëdije qytetare e kombëtare, e lufton diktaturën. Ashtu edhe unë, që nga mosha e rinisë time të hershme me mish e me shpirt, me tërë familjen e kam luftuar diktaturën, dhe kurrë nuk pendohem”, thuhet në reagimin e të parit të Drenasit në rrjetin social ‘Facebook’.

Tutje ai ka shkruar se me rendin demokratik, të cilin e garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, jo vetëm shprehjen, bindjen, përkatësinë etnike, fetare apo orientimin seksual, Kushtetuta garanton edhe më shumë se kaq, deklarimin e lirë.