Ndarja e Çmimit Muslim Mulliqi - Foto: KALLXO.com

Artan Hajrullahu dhe Valdrin Thaçi ndajnë ‘Çmimin Muslim Mulliqi’

Artistët kosovarë Artan Hajrullahu dhe Valdrin Thaçi janë shpallur fitues të edicionit të 12-të të ekspozitës “Çmimi Muslim Mulliqi”, e cila u hap sot në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Fituesit e sivjetmë u përzgjodhën nga një juri në përbërje të Visar Mulliqit, profesor i Pikturës në Fakultetin e Arteve në UP, Ana Frankovska, kuratore nga  Galeria Kombëtare e Maqedonisë dhe Valentina Bonizzi, artiste vizuale.

Tema e edicionit te sivjetmë ishte “A janë histori kujtimet tona”, ndërkaq autorja e konceptit dhe përzgjedhësja e artistëve të këtij edicioni është Iara Boubnova, kuratore e  artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Bullgaria.

Ekspozita “Çmimi Muslim Mulliqi” mbledh së bashku si artistët kosovarë dhe ndërkombëtarë dhe do të përfshijë si veprat ekzistuese ashtu edhe projektet e bëra posaçërisht për ekspozitën.

Iniciuar në vitin 2003 nga Ministria e Kulturës e Kosovës për të promovuar artistët vizualë në Kosovë, ekspozita e “Çmimit Muslim Mulliqi” është ekspozita më e rëndësishme për artet bashkëkohore vizuale  në Kosovë.