Arrestimi i një të dyshuari - Foto: Ilustrim

Arrestohet i Mituri për Vrasje në Tentativë

Është arrestuar sot nga policia në Gjilan 17 vjeçi me inicialet E. B., i përfshirë në një sulm që ndodhi në orën 3  e 10 të mëngjesit të 1 janarit 2017, gjatë të cilit i arrestuari bashkë me persona të tjerë lënduan me thikë dy persona-njërin rëndë e tjetrin lehtë.

Sulmi u cilësua vrasje në tentativë nga prokurori kujdestar, ndërsa rrethanat e tij po ndriçohen nga Njësiti i Hetimeve Rajonale.

Lajmin për arrestimin e të përfshirit në sulm me inicialet E. B. e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan Shaban Azizi.

“Prokurori i Shtetit qe edhe me herët  ka qenë njoftuar me rrethanat e ngjarjes dhe rrjedhën e intervistës, i njëjti më pas ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin ndaj të dyshuarit në afat prej 24 orësh,” tha Azizi për KALLXO.com.

Sipas Azizit, për këtë sulm është arrestuar më parë edhe 19 vjeçi me inicialet R. B.

“Pas intervistimit nga ana e policisë dhe në prezencë të avokatit, 19 vjeçi me inicialet R. B. kishte thënë se e gjithë ngjarja kishte ndodhur pas një ngatërrimi mes palëve të ndodhur pak kohë më parë,” tregoi zëdhënësi Azizi.

Ai bëri të ditur se mosmarrëveshjen si shkaktar të therjes e kishte përmendur edhe njëri nga të lënduarit në ditën e sulmit.

“Njësiti reagues  iu ka përgjigjur rastit dhe me të arritur në emergjencë ka kontaktuar me viktimat dhe janë  njoftuar se viktimat në fjalë pas një mosmarrëveshjeje që kishin pasur me disa persona- njëri prej tyre që viktimat e kanë identifikuar ishte R. B. i kishte sulmuar me thikë duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës E. Kastrati si dhe lëndime te lehta viktimës L. Sylejmani,” tha Azizi për KALLXO.com.

Ai deklaroi se i arrestuari i sotëm E. B. u identifikua dy javë pas sulmit, nga i lënduari rëndë në të, pasi këtij të lënduari iu përmirësua gjendja shëndetësore.