ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Arrestohen Dy Shtetas të Maqedonisë e një i Serbisë, Dyshohen për Para të Falsifikuara

Tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë blerë disa gjësende me monedha të falsifikuara.

Sipas raportit policor, gjatë ditës së djeshme në Prizren janë arrestuar tre persona, dy shtetas maqedonas dhe një serb, pasi që të njëjtit kanë blerë gjësende të ndryshme në disa dyqane në Prizren me bankënota prej 200 eurove, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Të dyshuarit sipas policisë janë ndaluar nga njësiti patrullues në Shtime.

Njësiti i forenzikës në Prizren në cilësi të provave materiale ka konfiskuar nga të dyshuarit 7 mijë e 467 euro, 120 denar të Maqedonisë dhe 9 mijë e 210 dinarë të Serbisë.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.