Dragan Çoviq, anëtar i presidencës boshnjake - Foto: Anadolu.

Arrestimet që Mund të Nxisin Ndarjen e Kroatëve të Bosnjës

Vizita në Zagreb nga anëtari kroat i presidencës së Bosnjës, Dragan Çoviq, ditën e hënë u zbeh nga raportet e arrestimeve të fundit për krime lufte të dhjetë kroatëve të Bosnjës –  duke bërë që analistët të paralajmërojnë se tensioni mund të forcojë thirrjet e kroatëve të Bonjës për një entitet të tretë, kroat, në Bosnjë.

“Shumica e atyre që kanë bërë thirrje për një entitet të tretë, por jo në një mënyrë të drejtpërdrejtë, tani janë shumë më të hapur sepse mendoj se ky arrestim është një provë përfundimtare se kroatët nuk janë të mbrojtur, janë të pabarabartë dhe janë të diskriminuar në Bosnje”, tha për BIRN Senada Shelo Shabiq, një analiste nga Zagrebi në Institutin për Zhvillim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, që i dha fund luftës në Bosnjë të viteve 1992 -1995, krijoi kushte për krijimin e dy entiteteve nën-shtetërore – një entitet serb, Republika Srpska, i cili zë rreth 49 për qind të territorit boshnjak, dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila zë 51 përqindëshin tjetër të territorit dhe banohet kryesisht nga myslimanët boshnjakë dhe kroatët.

Por shumë kroatë do të preferonin entitetin e tyre dhe Çoviq ka vite që bën thirrje për krijimin e një të tilli – një nismë e ndërmarrë në vitin 2014 kur Kolinda Grabar-Kitaroviq fitoi presidencën kroate dhe bëri thirrje për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për riorganizimin e Bosnjës.

Grabar-Kitaroviq i përket Partisë Demokratike Kroate, HDZ, ndërsa Çoviq është kryetari i partisë motër të HDZ-së në Bosnjë.

“Vizita ime në Zagreb, edhe pse ishte planifikuar më parë, do të ishte për rrugën evropiane dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona. Tani, për fat të keq, do të jetë kryesisht për ngjarjet në qytetin verilindor boshnjak të Orasjes”, tha Çoviq, sipas faqes së lajmeve “Nezavisne Novine” në Banja-Llukë.

Arrestimet nën dyshimet për krime lufte kundër të burgosurve të luftës serbë të Bosnjës në vitin 1992 dhe 1993 zemëruan një sërë politikanësh kroatë që i panë ato si një sulm mbi Kroacinë dhe për pozitën e kroatëve të Bosnjës në Bosnjë, sipas Shelo Shabiq.

Shelo Shabiq komentoi se situata “e ngarkuar emocionalisht” mund të çojë në një ndryshim në marrëdhëniet e Kroacisë me Bosnjën dhe mund të forcojë thirrjet për një entitet të tretë të udhëhequr nga kroatët.

Ajo tha se kryeministri i ri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili zakonisht profilizohet si politikan i qendrës dhe pro-evropian, po tërhiqej djathtas nga ata që do të preferonin që ai të mbante një pozicion më nacionalist.

Referendumi i paligjshëm i shtatorit në Republikën Srpska për ditën kombëtare të entitetit ndihmoi në hapjen e rrugës për një ndryshim të tillë, tha ajo.

“Lidershipi kroat po beson retorikën e kohëve të fundit të presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik, se ndarja paqësore territoriale e Bosnjës është e mundur”, tha ajo.

Ajo shtoi se besonte se qasja ishte e gabuar.

Analisti politik nga Zagrebi, Zharko Puhovski, tha megjithatë se edhe pse tema e një entiteti të tretë ishte përmendur disa herë nga liderët kroatë, ai dyshonte se “ka një plan serioz brenda qeverisë për hapjen e diskutimit”.

“Ndoshta ka pasur një mundësi të mirë menjëherë pas përfundimit të luftës në Bosnjë në vitin 1995, por tani kjo do të thotë ndryshim të Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndryshime të tjera të rënda”, tha ai.

Në Kroaci, çështja ka qenë gjithmonë gati dhe askush “nuk ka sqaruar qartësisht pozicionin për këtë”, përfundoi ai.

Ministri i Mbrojtjes anulon vizitën

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Damir Krstiçeviq, të hënën anuloi një vizitë në Sarajevë që ishte planifikuar për të martën.

Prokuroria boshnjake konfirmoi javën e kaluar se po heton rolin e Krstiçeviqit në krimet e dyshuara të kryera nga forcat kroate në tetor 1995, në të cilat 181 serbë nga Mrkonjiç Gradi u vranë.

Krstiçeviq u shpreh se ai anuloi udhëtimin e tij në Sarajevë sepse ishte i zënë duke punuar për buxhetin e shtetit dhe se do ta riprogramonte atë.

Por gazeta e përditshme “Jutarnji List” raportoi se agjencitë kroate të inteligjencës e kishin këshilluar atë të mos shkonte në Bosnjë sepse nuk mund të garantonin sigurinë e tyre.

Zharko Puhovski, një analist politik nga Zagrebi, tha për BIRN se Qeveria kroate i druhej “ndjekjes penale të anëtarëve të saj për krime të kryera në tetor 1995 në Mrkonjiç Grad”, një qytet në Bosnjën perëndimore.