Apeli i kthen në gjyq ish-drejtuesit e Telekomit

Gjykata e Apelit ka vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

Ish kryetari i bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish kryeshefët e kësaj kompanie publike Agron Mustafa e Ejup Qerimi do të duhet të dalin para gjyqit për t’u përballur me akuzat e prokurorisë, pavarësisht një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Themelore për ta hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

KALLXO.com mëson se Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore të marrë në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte gjetur të bazuara kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve për hedhjen e aktakuzës, ndërsa palën e dëmtuar e kishte udhëzuar në kontest civil.

Me 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurori Special Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

https://kallxo.com/gjykata-rrezoi-aktakuzen-ndaj-ish-krereve-te-telekomit-te-kosoves-per-z-mobile/

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte  lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com, në dhjetor të vitit të kaluar ka raportuar për fillimin e hetimeve për këtë rast. Në atë kohë, prokurori Abdurrahim Islami kishte konfirmuar për KALLXO.com se kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këtë rast.

https://kallxo.com/prokuroria-speciale-nise-hetime-ndaj-agron-mustafes-dhe-zyrtareve-te-telekomit/

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) arritën marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi u paraqit si një triumf për kompaninë pasi e lironte telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z Mobile.

Në vitin 2016 gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.