Josep Borrell - Foto: Facebook/ Josep Borrell

Analistët: Diplomati spanjoll në krye të diplomacisë europiane, lajm i keq për Kosovën

Nominimi i spanjollit Josep Borrell për postin e shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian ka nxitur reagime të analistëve kosovarë.

Borrell do të mbajë postin të cilin e kishte Federica Mogherini, nëse ky propozim miratohet nga Parlamenti Europian,

Emërimi i një spanjolli në këtë pozitë nxit reagime për arsye diplomatike pasi që Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet.

Ish-diplomati dhe analisti i njohur, Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, e ka quajtur Borrellin “anti-independentist dhe një jo-mik”.

“Një spanjoll, Javier Solana ishte Sekretar Gjeneral i NATO-s kur u çlirua Kosova, po i njëjti ishte shef i politikes se jashtme te BE-se kur Kosova e shpalli pavarësinë, dhe tani e kemi një spanjoll qe do te ndërmjetësoj bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, te cilat duhet te përfundojnë me njohjen reciproke ne mes dy vendeve”, ka shkruar Peci në rrjetin social ‘Facebook’.

“Nuk po di se a ne te mërzitemi me shume për emërimin e Borellit, apo ai qe i ka mbetur ne dore njohja e pavarësisë se Kosovës. Deri tani refuzojshin me u ule një tavoline me përfaqësuesit e Kosovës, dhe tani do te duhet qe te takohet goxha shpesh me ata, dhe bile te vie edhe ne Prishtine, ku pas vitit 2008 nuk ka shkelur asnjë zyrtar i larte spanjoll”, ka shtuar tutje ai.

Gjithashtu edhe analisti tjetër, Nezir Kraki, e ka quajtur ‘lajm aspak të mirë’

Profesori universitar në Paris, Nezir Kraki ka deklaruar në profilin e tij në ‘Facebook’ se kohë të vështira po vinë për Kosovën, për integrimin dhe për pajtimin ballkanik.

“Spanja mbetet kundërshtuesja me e madhe e Kosovës brenda BE-së dhe J Borrell njihet për pozicionin e tij pro serb kur behet fjale për Kosovën”, ka shkruar analisti.

KALLXO.com raportoi të martën se 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian janë marrë vesh sonte për emrat që do të vihen në pozitat kyçe të BE-së.

Në mesin e tyre janë edhe dy gra: Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen do të emërohet kryetare e Komisionit Europian, ndërsa francezja Christine Lagarde në Bankën Qendrore Europiane, ka njoftuar kryetari i Këshillit, Donald Tusk, sipas Le Figaro.

Sipas shumë burimeve, emri i ministres gjermane të Mbrojtjes është propozuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Postin e Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme pritet ta drejtojë spanjolli Josep Borrell.

Kryeministri aktual belg Charles Michel do të jetë në presidencën e Këshillit Europian.