Takimi i kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla me Përfaqësuesin e BE-së, Joseph Borrell, Foto: ZKM

Kurti takohet me Borrell e Lajçak në Mynih, kërkohet heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë takuar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ata janë takuar në kuadër të Konferencës së Sigurisë, e cila po mbahet në Mynih të Gjermanisë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ata kanë biseduar për procesin e dialogut, zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve” – thuhet në njoftimin e ZKM-së të datës 16.02.2024.

Gjithashtu, ZKM ka theksuar se Kurti ka kërkuar heqjen e masave kufizuese të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës.

Që nga data 28.06.2023, Bashkimi Europian ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri.

Ndonëse zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, nuk i kishte quajtur sanksione, por ai kishte konfirmuar më 14.06.2023 se shtetet anëtare të BE-së janë dakorduar që të vendosin “masa kufizuese” me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës.

Sipas tij, 27 shtetet anëtare të BE-së kanë kërkuar nga palët shtendosje të menjëhershme të situatës në veri.

Tensionet ndëretnike ishin ngritur që nga data 24.05.2023, kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe që të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.

Kryesuesit një gjë të tillë e kërkuan përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Borrell dhe Lajçak, më 13.12.2023.

Drejtuesit e komisioneve parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Kroacisë, Çekisë, Republikës së Irlandës, Belgjikës, Bullgarisë dhe Danimarkës, theksojnë në këtë letër se bojkotimi i zgjedhjeve komunale më datë 23.04.2023 me kërkesë të Listës Serbe, sulmi ndaj KFOR-it më 29.05.2023, ndalimi i paligjshëm i zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe më 14.06.2023, dhe sulmi në Banjskë më 24.09.2023 zbulojnë një skemë agresioni që ka për synim minimin dhe destabilizimin e Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij në Mynih të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ai po ashtu është takuar me kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelko Komsh, disa senatorë amerikanë, kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan dhe të tjerë.