Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Amerikanët dhe Britanikët Sqarojnë Letrën Drejtuar KGjK-së

Disa ditë pasi KALLXO.com ekskluzivisht raportoi lidhur me një letër të ambasadave të Amerikës dhe Britanisë në Kosovë, ku këto përfaqësi diplomatike shprehnin shqetësimin e tyre rreth ligjshmërisë së zgjedhjes së kryetarëve të Gjykatave në Kosovë, përfaqësues të këtyrë ambasadave treguan pse e dërguan këtë letër.

Në përgjigjet e dërguara në KALLXO.com prej Michelle Schohn nga ambasada amerikane në Kosovë, thuhet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për gjendjen e gjyqësorit e gjithashtu edhe për besimin e opinionit në të.

“Ne kemi shqetësime të vazhdueshme dhe që dihen për korrupsion dhe keqbërje në sistemin gjyqësor. Kjo letër, si dhe të gjitha komunikimet me organizatat, janë pjesë e bashkëbisedimit tonë të vazhdueshëm në përpjekjen për t’i përcjellë shqetësimet tona te partnerët tanë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Kosovë.

Përgjigje të ngjashme dha për KALLXO.com edhe Ambasada e Britanisë së Madhe.

“Ne kemi shqetësime afatgjate dhe të njohura lidhur me korrupsionin dhe parregullsitë në sistemin gjyqësor. Kjo letër, ashtu si të gjitha komunikimet tjera me institucionet, është pjesë e komunikimeve tona të vazhdueshme, në përpjekje për t’u bërë të qarta shqetësimet tona partnerëve tanë”, thuhet në përgjigjen  e ambasadës britanike në Kosovë.

Të dy ambasadat përsërisin përkushtimin për të ndihmuar sistemin kosovar të drejtësisë.

“Për shkak të rëndësisë që i japim forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara punojnë ngushtë me KGjK-në dhe KPK-në për të ndihmuar sigurimin e funksionimit efikas të këtyre institucioneve jetike. Përmes programeve tona të USAID-it dhe Departamentit të Drejtësisë, ne japim ekspertizë teknike dhe trajnime, dhe kemi zhvilluar partneritete të fuqishme dhe produktive me të dyja institucionet” thuhet në përgjigje.

Në letrën e dërguar për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dy ambasadat më me ndikim në Kosovë kishin shprehur shqetësimin e tyre se procesi i zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave në Kosovë përmes votimit të fshehtë mund të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Zgjedhja e kryetarëve të gjykatavë bëhet në bazë të Rregullores 09/2016 për Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Procesi i përzgjedhjes nis me intervistimin e kandidatëve për kryetar nga një komision i cili formohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ky komision pas intervistimit i propozon Këshillit Gjyqësor kandidatët në bazë të vlerësimit të arritur në testim.

Këshilli Gjyqësor e përzgjedh për kryetar personin i cili merr shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të KGJK-së në një proces të fshehtë të votimit.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se është duke u shqyrtuar letra e dërguar nga ambasadat.

Për letrën që ambasadat ia dërguan KGJK-së KALLXO.com shkroi më 20 mars.

Amerikanët e Britanikët Kontestojnë Kryetarët e Gjykatave

Ambasadat në letër shprehin shqetësim se zgjedhja në mënyrë të fshehtë e kandidatëve për kryetar gjykatash, po ndikon që në disa raste të mos zgjidhet ai që ka dalë më i miri gjatë intervistimit.

Rasti më i freskët i tillë është rasti i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku Enver Peci nga anëtarët e KGjK-së u propozua për kryetar me votim të fshehtë përkundër se kandidatja më e poentuar nga Komisioni Intervistues ishte Valdete Daka.

http://kallxo.com/enver-peci-zgjidhet-kryetar-gjykates-supreme/

Lidhur me procesin, Daka u ankua edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

http://kallxo.com/valdete-daka-ankohet-ne-kushtetuese/

Rast i ngjashëm ndodhi edhe me përzgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala. Shala ka marrë shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të KGjK-së, por ishte kandidatja Tonka Berisha e cila kishte marrë numrin më të madh të pikëve nga komisioni vlerësues.

http://kallxo.com/hasan-shala-ta-drejtoje-gjykaten-e-apelit/