‘Jemi në një geto të vërtetë’ – Hulumtimi që zbardh shkeljen e Kodit të Vizave të BE-së për kosovarët

“Pse s’pe merr një megafon?” pyet një grua 73-vjeçe, derisa bashkë me rreth 50 njerëz tjerë, pret para zyrave të TLScontact në Prishtinë, një qendër ndërkombëtare për aplikim për viza. Prej fundit të rreshtit mezi dëgjon rojën, i cili lexon emra në një copë letre, prandaj teksa ajo flet ngapak, sytë vazhdimisht i mban te goja e rojës, duke u munduar t’ia lexojë buzët. Njëjtë bëjnë edhe të tjerët që si nën ankth presin në radhë.

Një tjetër emër thirret. “Këtu. Unë jam”, thotë një burrë, duke e thyer qetësinë ku dëgjohen vetëm zhurmat e lehta të shfletimit të letrave nëpër dosjet e aplikuesve. Të gjithë i bëjnë pak vend, teksa ai ecën drejt fillimit të radhës. Të tjerët presin. Qetësisht i bëjnë ndonjë pyetje njëri-tjetrit. “A po aplikon për herë të parë?” “Për ku?” Disa-disa edhe kërkojnë ndonjë këshillë prej atyre që e kanë provuar më parë këtë proces.

Përkundër rraskapitjes, mbretëron njëfarë ndjesie e solidaritetit. Njerëzit nuk i kursejnë këshillat, kurse vendet më të rehatshme të pritjes ua lirojnë më të moshuarve. “Të priftë fati!”, i thonë njëri-tjetrit, ashtu, të bindur se gjithçka varet nga fati.

Roja thërret një emër tjetër. Askush s’përgjigjet. Me zë më të lartë, thërret përsëri. Urgjenca që përçon zëri i tij e zgjon turmën.

Kohë pas kohe, njerëz të ndryshëm dalin nga ndërtesa duke mbajtur në duar zarfe ku fshihet fati i tyre. A u është aprovuar apo refuzuar viza? A do të mund ta vizitojnë familjen? Të shkojnë në pushime? Të marrin trajtim mjekësor jashtë vendit?

Disa mundohen të duken të qetë para turmës dhe largohen pa e hapur zarfin. Të tjerëve nuk u pritet dhe me nxitim e hapin atë në çastin që dalin jashtë. Disa gëzohen dhe menjëherë i thërrasin të dashurit e tyre për t’ua dhënë lajmin e mirë. Të tjerët duken të dëshpëruar dhe largohen, të zemëruar ose të përhumbur.

Një fytyrë e re i bashkohet turmës.

“Njerëzit e një Kosove multietnike dhe demokratike do ta kenë vendin e tyre në Evropë”, thuhet në një deklaratë të Bashkimit Evropian (BE) disa ditë para Samitit të Selanikut të vitit 2003. “Ballkani do të jetë pjesë integrale e një Evrope të bashkuar”.

BE e përmbushi pjesërisht këtë premtim deri në vitin 2010, kur qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit u liruan nga kërkesat e shtrenjta e burokratike të vizave për të hyrë në vendet Shengen për periudhë të shkurtër. Përveç Kosovës.

Në fund të vitit 2022, Parlamenti dhe Këshilli Evropian njoftuan që Kosova do të ketë liberalizim të vizave më së largu deri në vitin 2024. Por, reagimi i kosovarëve ishte i zbehur, marrë parasysh vitet e tëra të premtimeve të papërmbushura nga BE.

Për më shumë se një dekadë, kosovarët kanë qenë në mesin e evropianëve të fundit, të cilët duhet të kalojnë nëpër procedura të shtrenjta, të gjata e herë-herë arbitrare të aplikimeve për viza për të udhëtuar nëpër Evropë. Me bartjen e shërbimeve për procesim të vizave afatshkurtra tek kompanitë private, janë ngritur shqetësime shtesë rreth privatësisë së të dhënave, pagesave shtesë dhe shkeljeve të Kodit të Vizave të BE, shkruan Kosovo2.0

Kodi i Vizave, dokumenti që rregullon procedurat e aplikimit për viza për vendet anëtare të BE, është i thirrur që të sigurojë respektimin e “dinjitetit njerëzor dhe integritetit të aplikuesve”.

Asnjëri/a nga kosovarët/et me të cilët/at K2.0 bisedoi nuk ishte në dijeni se Kodi i Vizave ekziston dhe shumë prej tyre që atëherë e kuptuan se rregullat e Kodit të Vizave nuk ishin zbatuar në disa nga aplikimet e tyre të mëparshme. Gjuha shqipe nuk është në mesin e 25 gjuhëve në të cilat gjendet ky kod.

Një prej vështirësive kryesore është sigurimi i një termini për vizë. Megjithëse Kodi i Vizave kërkon që terminet për viza të jenë të qasshme brenda dy javësh, kosovarëve shpesh u duhet të presin të paktën një muaj, teksa pritja mund të shkojë edhe deri në pesë muaj.

Këtu mund ta lexoni hulumtimin e plotë të publikuar në Kosovo2.0.

Hulumtimi “Jemi në një geto të vërtetë” është prodhuar nga K2.0, ku edhe është botuar fillimisht. Ribotimi në KALLXO.com është bërë me lejen e K2.0.

Shënim: Artikulli është edituar, duke iu shtuar pjesë nga artikulli origjinal i Kosovo2.0 dhe emri i autores.