Nënshkrimi i marrëveshjes për atashetë kulturorë. Foto: MKRS

Nënshkruhet marrëveshja për emërimin e atasheve kulturorë në ambasadat e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sporteve, Vlora Dumoshi, nënshkruan sot Marrëveshjen e Shkallës së Shërbimit midis dy ministrive përkatëse.

Marrëveshja e nënshkruar parasheh përfaqësim zyrtarë diplomatik edhe në fushën e kulturës, përmes emërimit të atasheve kulturorë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy ministret, u zotuan se tani e tutje shteti i Kosovës do të përfaqësohet në mënyrë zyrtare edhe në fushën e kulturës.

Dumoshi e Haradinaj-Stublla, pohuan se hapi tjetër pas arritjes së marrëveshjes është kompletimi i infrastrukturës së nevojshme për emërimin e atasheve, ndërsa nga viti i ardhshëm mund të fillojë emërimi i tyre në ambasadat kosovare.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë pas nënshkrimit, se marrëveshja është hapi i parë drejtë avancimit të përfaqësimit tonë kulturorë në botë.

Ajo ka përendur edhe personalitetet e shquara kosovare të sportit dhe kulturës duke i quajtur ambasadorë të kulturës në botë.

“Së bashku me ministren Vlora Dumoshi nënshkruam marrëveshjen e shërbimit, në mënyrë që të ngrisim nivelin e misioneve tona edhe në përfaqësimin kulturorë. Marrëveshja e nënshkruar është një hap i parë drejtë avancimit të kësaj fusha, por edhe përfaqësimit tonë kulturorë në botë”,  u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi ka thënë se atashetë kulturorë do ta promovojnë kulturën e Republikës së Kosovës në vendet ku ata akreditohen.

Ajo ka thënë se atashe kulturorë do të emërohen figurat eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit tonë në misionet diplomatike të Kosovës.

“Me emërimin e atasheve kulturorë do të arrijmë që ta promovojmë kulturën tonë, duke shkëmbyer përvoja me shtetet respekt ive dhe njëkohësisht do t’i paraqesim edhe të arriturat tona të kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe sportit”, ka thënë ministrja Dumoshi.