Pritja për të ikur

Pavarësisht burokracisë e vonesave të shumta nga Ambasadat e huaja në Kosovë, shumë të rinjë nuk e ndalin synimin e tyre për t’u larguar nga Kosova.

Është bërë pothuajse e pamundur mos të dëgjosh rrëfime të njerëzve mbi përpjekjet e tyre për t’u larguar nga Kosova.

Dëshirë të tillë ka edhe 27 vjeçari Arben Bytyçi nga Komuna e Suharekës. Ish-studenti i Gjeografisë i cili kishte synim të punësohej si mësimdhënës, thotë se e ka vite që e ka bindur veten se e ardhmja për të nuk do të jetë jetesa në Kosovë.

Bytyçi i la studimet në 2016 dhe prej atëherë u fokusua në idenë për të ikur nga vendi. Para 2016-tës ai kishte disa mundësi të ikte ilegalisht në Austri e Slloveni dhe sot ndihet i penduar që nuk iku më herët.

‘‘Pata mundësi me dal atëherë po nuk pata gatishmëri, isha i ri e jo i matur, edhe e pata njëfarë frike. Por jam shumë pishman që s’kam shku’’, thotë ai. ‘‘Kam pasë edhe shumë oferta me dal n’zezën por nuk kam dashtë ashtu’’.

Mirëpo, në vitin 2019 një i afërm i Arbenit i cili jeton në Gjermani i kishte dërguar një garancion pune, i cili dy vite ka pritur një përgjigje rreth aprovimit apo jo të këtij garancioni nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

E tërë kjo pritje ka rezultuar e kotë, pasi që nga 1 janari i këtij viti në Gjermani ka hyrë një rregullore e re e të ashtuquajtrës ‘‘Rregullore e Ballkanit Perendimor’’, e cila e nënkupton se Bytyçi duhet të riaplikojë prej fillimit.

Këto procedura të reja, Arbeni thotë se ia dhënë një lloj demotivimi mirëpo nuk e zmbrapsin nga përpjekja e vazhdueshme për t’u larguar nga Kosova.

‘‘Edhe pse rregullat e reja mi kanë ulur dukshëm shpresat e po e konsideroj veten të pa fat, unë  gjithsesi do ta provoj’’, thotë 27 vjeçari suharekas, komunë kjo e cila ndër vite ka qenë në krye të komunave në Kosovë për nga numri i emigrantëve.

Kurse sipas të dhënave që Ambasada i ka dhënë për PI për numrin e vizave të lëshuara gjatë vitit 2019, statistika këto të fundit, në Kosovë janë dhënë rreth 50 mijë viza, ndër to, krahas 36 mijë vizave për qëndrime afatshkurtër, janë dhënë edhe 15 mijë viza nacionale për qëndrime afatgjata.

“Edhe në krahasim botëror është shifër tejet e lartë”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës.

Të dhënat nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë thonë se numër më të madh të aplikantëve sesa Kosova nga shtete e rrajonit rme qëndrim të gjatë ka patur vetëm Bosnja dhe Hercegovina me 17,254 aplikime.

Në anën tjetër, pavarësisht këtyre vonesave, Arben Bytyçi thotë se do të aplikojë edhe me metodat e reja qe ka vënë shteti gjerman.

“Tash duhet me kqyr me apliku prej fillimit, çka me bo?”, pyet ai.

Për të, jetesa jashtë Kosovës nuk është domosdoshmëri financiare, mirëpo një prej shkaqave kryesore që ai dëshiron një jetë në perëndim, ka të bëjë rreth sigurisë dhe të drejtave të punëtorëve.

“Fakti që synoj edhe gjendje më të mirë financiare është e vetëkuputueshme, por ka edhe gjëra tjera.,” thotë ai.

“Unë punoj në sektorin e ndërtimtarisë, punoj ne formë te pa rregullt dhe jo me punë të vazhdueshme, nuk kam as sigurim, as trust pensional as asgjë,” shton ai.

Rënia ekonomike gjatë vitit pandemik e ka dëmtuar edhe më shumë Bytycin.  “Nuk përfitova asgjë nga shteti në pandemi. Pra unë diqysh as nuk llogaritna pjestar i qitij shteti”, thotë Bytyçi.

Përveç kësaj, Arbeni thotë se e ndjen edhe njëfarë presioni të moshës dhe ikjen e viteve të kaluara në Kosovë.

“Krejt shkaku i moshës i bie pishman që s’kam dal ma heret, sepse pavarësisht që e konsideroj veten ende të ri e kam edhe këtë presionin e moshës, sepse gjërat cka duhet t’i bëja ndoshta në të njëzetat, duhet të përpiqem t’i bëj në të tridhjetat”, thotë disi dëshpërueshëm Bytyçi.

“Nëse e vëreni, këtu në Kosovë, sikurse jeta e një 20 vjeçari, sikurse e një 30 vjeçari janë shumë të ngjashme, i njejti akomodim, e njejta gjendja, veç numrat dallojnë dhe secili jeton ad hoc, sot për nesër”.

Arsyeje e cila nuk e tërheq nga dëshrira për tu larguar, Arbeni thotë që lidhet edhe me faktin që shoqëria dhe rrethi ku jeton, flasin thuajse çdo ditë për të njejtën temë, për mundësinë për të emigruar.

“Shoqëria ime më nxisin edhe mua sepse ata vetë janë të nxitur për tu larguar. E ballafaqohet njeri me shumë njerëz që i kanë hallet e njejta, hiç pa dashtë t’mushet menja, se ndikohesh te njëri tjetri”, sqaron ai.

28 vjeçari Imer Hoxha nga Komuna e Malishevës ka ndarë  mendjen me u largu nga vendi.Imeri kishte shkuar në Gjermani në shkurt të vitit 2015, periudhë kjo kur mijëra qytetarë lëshuan vendin në një eksod të madh që shpërtheu e ku dhjetëra mijëra qytetarë braktisën Kosovën.

Kur Imeri arriti në Gjermani ai kishte gjithë familjen e ngushtë atje, por problemet filluan të shfaqen pasi ai nuk kishte të drejtë punë dhe kishte aplikuar për azil.

Pasi që institucionet gjermane ia kishin refuzuar kërkesën për azil, në qershor të vitit 2016, Imeri ishte detyruar të kthehej në Kosovë, me shpresën që në Gjermani do të kthehej shumë shpejt. Mirëpo me të aplikuar në Ambasadën Gjermane menjëherë pas kthimit, atij kishin treguar se ka ndalesë dy vjeçare nga autoritetet gjermane për hyrjen ilegale në atë shtet.

“Ke njëfarë demotivimi kur m’thanë që ki ndalesë por nuk jam dorëzu, prapë mendojsha qysh me gjetë zgjidhje me shku”, kujton Hoxha.

Pasi i kishte skaduar ndalesa, në maj të vitit 2018 përmes një kontrate pune dhe garancioni që i kishte siguruar babai i tij në Gjermani, 28 vjeçari kishte aplikuar përsëri për vizë që të shkonte në Gjermani. Por, edhe pas pritjes afër tri vjeçare aplikacionit të tij nuk i kishte ardhur radha për shqyrtim, e cila tashmë nuk vlen fare me ligjin e ri për viza pune për Ballkanin Perendimor.

“Duhet me kqyr çka po bohet me këtë ligjin e ri tash, nëse s’bohet, duhet me pa me gjetë ndonjë formë me shku”, thotë Hoxha, i cili dëshiron t’i bashkohet tre anëtarëve tjerë të familjes në Gjermani, babait, nënës dhe vëllaut.

“Diqysh e drejtë bazike është me u bashku njeri me familje t’vetë bre”. thotë habitur ai, i cili në nuk shpreh asnjë vullnet ta sheh të ardhmen në Kosovë.

E vullnet për ta lëshuar Kosovën, sipas një ankete të fundit të Grupit për Studime Juridike dh Politike kanë  48.4 përqind e qytetarëve të Kosovës. Sipas kësaj ankete nga kjo OJQ, situata me COVID-19 e ka rritur ndjeshëm gatishmërinë e qytetarëve për të emigruar. Pas që sipas të njejtës anketë nga e njejta organizatë në vitin 2019 kjo përqindje shkonte tek 38.3 për qind.

Kurse referuar statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në periudhën 2015-2019 Kosovën e kanë lëshuar më shumë se 170 mijë qytetarë. Sipas kësaj Agjencie vetëm në vitin 2019, në mënyrë legale dhe ilegale nga Kosova kanë migruar 34 mijë e 911 kosovarë.

Vullnet për ta lëshuar Kosovën ka edhe Asdren Cervadiku nga Prishtina. 31 vjeçari i cili punon kamarier në një kafene në kryeqytet, thotë se ka kohë që vetëm me trup është në Kosovë, pasi mendjen thuajse çdo ditë e ka se si të gjej mundësi ta lë Kosovën. Për këtë qëllim, para dy viteve ai thotë se ka provuar në mënyrë ilegale ka provuar të shkoj në shtetin e Zvicrrës por kjo tentativë kishte dështuar rrugës.

“Si plotë tjerë thashë hajt po rrezikojë edhe unë. M’ndihmun disa shokë me gjetë dikan që mundet me m’shti ilegalisht në Zvicërr, po dështoi, m’zunë mu edhe 3 tjerë n’Hungari, se dojsha me hy përmes Austrisë”, tregon Cervadiku, i cili për 5 javë kishte qëndruar në burgjet hungareze para se të kthehej në Kosovë.

Mirëpo, ai e konsideron veten me fat që nuk ka ndonjë ndalesë ligjore për ta synuar përsëri perëndimin.

Përtej arsyes financiare, Asdreni thotë se perëndimin e koncepton edhe si vlerë ku arrihet pavarësia individuale dhe privatësia.

“Jashtë zhvillohet jeta me plan diqysh. Nuk kam iluzione për perendimin, por përnime kam nevojë për atë rregullin, atë disiplinën e pavarësinë që ta ofron perendimi,” thotë ai.

“Se k’tu njeri i bohet barrë familjes e gjithëkujt, se s’ka kushte, tani secili ka nevojë për njëri-tjetrin”,  përfundon Cervadiku.

Ky artikull është publikuar fillimisht në Prishtina Insight.