Ambasadori O’Conell: Bordet Janë të Politizuara
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell duke bashkëbiseduar me qytetarët në profilin e tij në “Facebook”, është përgjigjur edhe në çështjet e depolitizimit të bordeve publike në Kosovë.
O’Connell ka thënë depolitizimi i bordeve varet nga institucionet e Kosovës.
“Jo nuk mendoj që janë të depolitizuar, edhe nuk kam pretenduar që janë të depolitizuara. Në fakt kjo është arsyeja pse kemi filluar projektin e Rekrutimit bashkë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Saktësisht për të krijuar mundësinë e depolitizimit të bordeve. Prej tash nëse Qeveria dhe Kuvendi vendosin të përdorin procesin e rekrutimit për të pasur një rekrutim të pastër, në bazë të meritave dhe plotësisht të pavarur, mund të shfrytëzojnë këtë proces për të punësuar dhe për të emëruar njerëz në bazë të meritës, por kjo varet tërësisht nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ambasadori britanik duke u përgjigjur në një pyetje.
Në gusht të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës së bashku me Kuvendin e Kosovës dhe Ambasadën e Britanisë në Kosovë kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për pavarësimin e bordeve publike në Kosovë.
Me të ardhur në krye të Qeverisë, Ramush Haradinaj ka shkarkuar disa anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike me arsyetimin se ata janë emëruar kundërligjshëm.
Para disa jave, “Gazeta Jeta në Kosovë” ka publikuar hulumtimin për bordin e kundërligjshëm të KEK-ut.
Në këtë bord janë emëruar persona më të kaluar politike dhe në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, përkundër faktit që i njëjti ishte rekrutuar me ndihmën e britanikëve.
Ndërsa ish-kryeministri Isa Mustafa gjatë kohës sa qeveriste me vendin e kishte pranuar se nuk ka borde jopolitike në Kosovë.
http://kallxo.com/mustafa-thote-se-jane-te-pamundura-bordet-jopolitike/