Albulena Haxhiu në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Albulena Haxhiu: Dy Vjet Përndjekje

Gjykimin e katër deputetëve për lotsjellësin në Kuvend, deputetja Albulena Haxhiu e konsideroi dy vjet përndjekje.

“Dy vite përndjekje kinse në emër të drejtësisë e cila ishte padrejtësi e madhe për neve që mbrojtëm Republikën e Kosovës”, tha Haxhiu në gjykatë.

Deputetja konstatoi se të akuzuarit nuk vepruan për qëllime kriminale.

“Ne nuk kemi vepruar për arsye kriminale por për arsye politike. Ne nuk kemi pasur qëllime kriminale por qëllime politike”, tha Haxhiu.

Ajo tha se deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja.

“Deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet që lidhen me funksionin e tyre. Sipas aktakuzës, veprimet për të cilat akuzohemi thuhet se janë ndërmarrë në cilësinë e deputetëve”, tha Haxhiu.

Ajo deklaroi se me veprimet e saj nuk janë penguar personat zyrtarë.

Haxhiu tha se gjykata ka mundësi edhe në këtë proces ta vërtetojë paanësinë e saj.

“Kjo procedurë është farsë. Kjo gjykatë për ta mbrojtur paanshmërinë e saj duhet të nxjerrë aktgjykim lirues dhe jo dënues”, tha Haxhiu.

Avokati i Albulena Haxhiut Ahmet Ahmeti tha se ka pritur që prokurori të tërhiqet nga akuzat për të mbrojturën e tij.

“Provat materiale nuk vërtetojnë në asnjë formë se e mbrojtura ime ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Si pasojë, mbrojtja propozon që Albulena Haxhiu të lirohet nga akuza”, tha Ahmeti.

Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi e Albulena Haxhiu akuzohen për përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Ndërsa Faton Topalli vetëm për veprën e dytë penale.