Foto: Kallxo.com

Albin Kurti flet për problemet e diasporës për të votuar në zgjedhjet e Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë pritjes së bashkatdhetarëve në zyrën e tij, tha se mërgata vitin e kaluar ka sjellë 760 milionë euro në Kosovë nga ato që quhen remitanca.

Kurti përmendi dy probleme në të cilat ata po hasin jashtë vendit.

“Nga problemet qe po i dëgjoj prej mërgatës janë së pari shkolla shqipe. Ata janë të brengosur për rënien e cilësisë se shkollës shqipe, duhet t’i zgjedhim arsimtarët më të mirë të gjuhës shqipe e t’i dërgojmë në Gjermani, e kudo nëpër botë. E dyta është votimi që ka aq shumë pengesa e burokraci. Në fushatën e zgjedhjeve të vitit të kaluar që ishte nga 1 deri më 9 qershor, mërgata është dashur të votojë para se të fillojë fushata. Në kemi ambasada në vendet ku është mërgata por atyre nuk u lejohet një gjë e tillë, që të votojnë në ambasada”, tha Kurti.

Tutje ai tha se kontributi i mërgatës duhet të njihet më shumë, dhe qe në të ardhmen me një qeverisje të re ata të bëhen edhe faktor i zhvillimit ekonomik e jo vetëm i mbijetesës sociale.

Kreu i LVV-së Albin Kurti njoftoi se deri në orën 18:00 të mbrëmjes bashkë me aktivistë, deputetë e anëtarë të kryesisë së partisë do të mirëpresin bashkatdhetarët në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre.