Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti i kundërpërgjigjet Aliut: Ne vendosim kënd ta mbështesim në ShBA e BE, e lëre më në Preshevë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me kritikat nga ministri, njëherësh bashkëpartiaku i tij, Liburn Aliu, pasi ky i fundit e ka cilësuar si “gabim” pozicionimin e shefit të qeverisë në krah një partie politike në zgjedhjet lokale të mbajtura në Serbi, konkretisht në ato të organizuara në komunat në Luginën e Preshevës.

Kurti ka deklaruar se si kryeministër i vendit dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, vendos se kënd ta mbështesë edhe në Bashkimin Europian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “e lëre më në Preshevë.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe merr vendimet në organet e veta. Ne kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, por kanë qenë dy blloqe dhe ne jemi përcaktuar ta mbështesim bllokun që i ka prirë Shaip Kamberi, ku kanë qenë pesë parti. Por, ka qenë edhe një bllok me dy a tri parti tjera. Unë jam kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së. Unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Europian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë”- është shprehur Kurti.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se mbështetjen e kandidatëve të caktuar si në Kosovë e në Shqipëri, e bën publikisht.

“Por jo vetëm kaq, duhet theksuar se të gjitha partitë në Kosovë e Shqipëri, në një mënyrë tjetër kush më shumë e kush më pak mbështesin kandidatë të caktuar, por unë këtë e bëj hapur, jo vetëm në terren, por e bëjë publikisht. Besoj që kjo është shumë mirë dhe jam i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si rezultat i partive shqiptare, me ç’rast në Preshevë ia uroj fitoren Ardita Sinanit”- ka theksuar Kurti.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se nuk ka qenë mirë që është mbështetur vetëm një subjekt politik në zgjedhjet lokale në Luginë.

“Unë mendoj që nuk ka qenë mirë që është mbështetur vetëm një subjekt politik. Personalisht, pavarësisht se po të kisha të drejtën e votës në Preshevë mbase do e kisha votu Ardita Sinanin, prapëseprapë nga pozicioni i Prishtinës, duhet të jemi mjaft të kujdesshëm karshi qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për shkak se ata janë në situatë delikate dhe të ndjeshme”- ka deklaruar Aliu në emisionin Info plus në RTK.

Sipas Aliut, mbajtja e anës së një subjekti politik karshi të tjerave të lë më pak hapësirë të përçosh mesazhin e unitetit te këto subjekte.

Më tej, Aliu ka thënë se pozicionimi i Kurtit ka qenë gabim, pasi “ai shihet si kryeministër me të cilin qytetarët duan të bashkohen një ditë”.

Më 29.05.2024, kryeministri Kurti ka marrë pjesë në një tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës.

Në tubimin e mbajtur në Prishtinë, të pranishëm kanë qenë edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi dhe kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani.

Gjatë tubimit Kurti ka thënë se Lugina e Preshevës bart një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore për të gjithë.

“Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, bart një trashëgimi të pasur kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të ndjeshme. Kemi parë shumë sfida qe ka kaluar Lugina, diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në dokumente janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët. Qeveria ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale e ekonomike. Kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje”- ka thënë ai.

Kurti tutje u ishte përgjigjur kritikave për mbështetje të vetëm dy kandidatëve në këto zgjedhje.

“Më kanë thënë se nuk bën të marr pjesë vetëm tek dy kandidatë, por unë shkoj aty ku më thërrasin”- është shprehur Kurti.

Ndërsa, Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, ka thënë se Lugina e Preshevës nuk ka jetë pa mbështetjen e Prishtinës.

Kandidati i kësaj partie për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, ka thënë se do të bëjë çmos që bashkërisht të japin të ardhme për shqiptarët që jetojnë në Bujanoc.

Ndërsa kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen ndërsa ka thënë se zgjedhjet në Luginë janë të një rëndësie të veçantë.

Në anën tjetër, Partia për Veprim Demokratik, e udhëhequr në Preshevë nga Ardita Sinani, ka fituar më së shumti mandate në kuvendin komunal të Preshevës, në zgjedhjet e përsëritura lokale, të mbajtura edhe në jug të Serbisë – me shumicë shqiptare – më 02.06.2024.

Mbështetja e Kurtit për Ardita Sinanin e Ragmi Mustafin, Aliu: Ka qenë gabim, duhet të rregullohet