Çekani i drejtesise - Ilustrim

Aktakuzë ndaj pesë personave për rrahje e dëmtim të pasurisë në kafiterinë 'Maroa’ në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti për krime të përgjithshme, ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurve F.D., SH.I., A.M., F.R., dhe V.H., të cilët gjenden nën masën e arrestit shtëpiak që nga data 19 dhjetor 2018.

Sipas aktakuzës, më 19 dhjetor 2018, në kafiterinë ‘’Maroa’’, në Gjilan, të pandehurit F.D., SH.I. dhe A.M., nën ndikimin e alkoolit, i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurve tjerë F.R. dhe V.H., pasi që fillimisht fjalosen, pastaj i gjuajnë me shishe dhe i godasin me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke i’u shkaktuar lëndime trupore.

Po ashtu, edhe të pandehurit F.R. dhe V.H., i godasin të pandehurit e lartshënuar me shishe, grushte dhe shqelma, duke i’u shkaktuar lëndime trupore, për të cilat kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Në këtë mënyrë, kanë kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’ nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 pika 1.4 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, të pandehurit F.D., SH.I., A.M., dhe F.R., akuzohen edhe për veprën penale ‘’Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë’’ nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së, për shkak që të njëjtit pasi janë dërguar për ndihmë mjekësore, në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, fillojnë përsëri të rrahën brenda sportelit, ku si pasojë edhe dëmtojnë orenditë dhe vulat e Spitalit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.