Shtëpi e shkatërruar gjatë luftës - Foto: Facebook

Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte në Dush të Klinës

Prokuroria Speciale ka paraqitur aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Dush të Klinës, gjatë vitit 1988. Prokuroria thotë se kanë arritur të identifikojnë vetëm personin M.Z ndaj të cilit është paraqitur aktakuza, mirëpo ai e ka kryer krimin së bashku me persona të tjerë që pritet të identifikon në të ardhmen.

“Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurëve M.Z. dhe N.N (personave tjerë)”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i pandehuri M.Z., në bashkëkryerje me N.N. kanë kryer veprën penale të krimeve të luftës ndaj popullatës shqiptare gjatë periudhës qershor-korrik 1998, në fshatin Dush të Komunës së Klinës.

“I pandehuri, M.Z., ka kryer sulme kundër popullatës shqiptare në cilësinë e policit, ushtarit dhe paramilitarit serb, së bashku me serbët e tjerë të fshatit Dush, me ç’rast së bashku me N.N. personat, ka përgatitur sulme ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare dhe ka ofruar shtëpinë e tij në dispozicion të forcave serbe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas kësaj aktakuze, veprimet e të akuzuarve M.Z. dhe N.N. kanë rezultuar me vrasjen e katër civilëve shqiptarë, të cilët në pamundësi për të ikur nga shtëpitë e tyre, kishin mbetur të vdekur nga djegia e shtëpisë së tyre.

“Gjatë sulmeve në ofensivën ushtarake të datës 28.07.1998, ku u dogjën tërësisht shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Dush, ndërsa brenda tyre u dogjën Z., O. dhe H.M., i paralizuar, të cilët qëndruan në shtëpitë e tyre, ngaqë nuk patën mundësi të largohen gjatë sulmeve që u bënë nga M.Z. dhe N.N. personat. Aty u plagosën E.M. dhe R.M, kurse sulmet zgjatën gjatë muajve qershor- korrik të vitit 1998. Si  pasojë e deportimeve (zhvendosjes) të dhunshme nga shtëpitë e tyre janë vrarë dhe djegur gruaja dhe vajza e të dëmtuarit, Xh.M, në fshatin Ruhod të Pejës, I.M. dhe B.M”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria Speciale aktakuzën e ka paraqitur më 3 gusht, pranë Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda.