Shpallja e aktgjykimit ndaj Goran Stanishiq

Akuzohet se mori pjesë në vrasjen e civilëve në Sllovi të Lipjanit më 1999, Apeli ia zbret dënimin nga 20 në 15 vite burgim

Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin nga 20 vjet, në 15 vjet, Goran Stanishiqit, që dyshohte se ka marrë pjesë në vrasjen e popullsisë civile në fshatin Sllovi të Lipjanuit në prill të vitit 1999.

Me vendim, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë e cila kishte dënuar me 20 vite tani të akuzuarin se kreu krime lufte.

Vendimin për 20 vite burgim, Gjykata e Apelit, duke u bazuar në ankesën e mbrojtjes e ka prishur dhe ka vendosur që Goran Stanishiq ta dënojë me 15 vjet burg.

Në vendim të Gjykatës së Apelit thuhet se pas shqyrtimit të të gjitha shkresave dhe fakteve, gjykata ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes.

Gjykata e Apelit me vendim i quan të pabazuara pretendimet e mbrojtjes për shkelje esenciale të dispozitave ligjore, madje ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk qëndron.

Kurse sa i përket ankesave mbi dënimin, Gjykata e Apelit ka konsideruar se dënimi me burg deri 20 vjet mund të shqiptohet për veprat që është paraparë dënim me vdekje, e për veprën me të cilën akuzohet Stanishiq mund të shqiptohet dënim deri në 15 vite.

“Gjykata e Apelit gjen se sipas dispozitës se nenit 38 par.1 të LPJ dënimi me burgim nuk mund të jetë me i shkurtë se 15 ditë e as me i gjatë se 15 vite, kurse sipas par.2 të këtij neni vetëm për veprat penale për të cilat është parashikuar dënimi me vdekje , gjykata mund të jap edhe dënim prej 20 viteve burgim” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Në shtator të këtij viti, në Gjykatën e Apelit është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, për të trajtuar ankesën e të akuzuarit Goran Stanishiq, i cili me vendim të Gjykatës Themelore ishte dënuar me 20 vite burg.

“Unë si nanë e bijës së vrame kom me thanë se është e vrame pa faj, ky e meriton me u dënu me burg të përjetshëm a me vdekje, se ka dëmtu shumë familje, jo vetëm një”- kishte thënë nëna e njërës nga viktimat.

Familajrët e viktimave nuk kishin qëndruar në sallë, në shatorin e këtij viti, kur mbrojtja e të akuzuar ishte duke u deklaruar.

“A mundemi ne mos me dëgju mbrojtjen e një krimineli”- kishte thënë një familjare, duke kërkuar nga Gjykata që t’i japin leje të dalin jashtë.

Kryetari i Kolegjit, gjyqtari Burim Ademi, e pati aprovuar këtë kërkesë të familjarëve të viktimave dhe ata kishin lëshuar sallën.

Ndërsa i akuzuari Stanishiq kishte shprehur keqardhje për përjetimet e njerëzve, por deklaroi se nuk ka lidhje me veprat për të cilat akuzohet.

“Unë shprehi keqardhje për atë se çka kanë përjetuar njerëzit, mirëpo unë nuk mund të ndihem fajtor për veprat që nuk kam lidhje me to”- kishte thënë i akuzuari Goran Stanishiq.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë serbe.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes NN vrasjen e NN dhe., NN, si dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.